
TIRANË- Aktorja Adelina Muça ka folur rreth dramës “7 minuta” që do të jepet në Teatrin Kombëtar në datat 13-16 shkurt. Aktorja tha për "Syri TV", se kjo dramë pasqyron pabarëzitë dhe të drejtat e mohuara të punëtorëve. Muça tha se do të interpretoj rolin e Anjezës, një vajzë që ul kokën dhe pranon çdo padrejtësi që i bëhet në punë. Ajo u shpreh se me këtë rol shpreson që të përcjell tek të gjithë gratë një mesazh të fortë që të kenë vetëbesim dhe guxim për të mos u dorëzuar përball padrejtësive në jetë.
“Në rolin tim, “fatkeqësisht”, sepse nuk më përshtatet si natyrë, është ajo femra që ul kokën dhe pranon çdo gjë sepse ka ardhur nga rrethet dhe i vetmi shpëtim për jetën e saj është në këtë pikë, ku edhe familja e saj nuk e pranon më në shtëpi është pikërisht kjo punë dhe ajo është e gatshme të shkeli mbi veten e vet për të patur një rrogë për t’u ushqyer. E thotë edhe vetë që edhe bukën e bën vetë në shtëpi, flokët i lyen vetë. Pak a shumë, unë kam rastisur në raste të tilla dhe kjo ka ndodhur dhe kohët e fundit ku unë jam larguar nga puna dhe jam duke e provuar, si të thuash këtë lloj problematike duke u përpëlitur për të mbijetuar, për të ekzistuar, për të gjitha problemet ekonomike që ne kemi. Por unë them që me kokën lart dhe me besimin tek shpatullat e tua, mund t’ia dalim. Ky është ai mesazhi që unë dua të përcjell për të gjitha vajzat dhe gratë”, tha aktorja./ZËRI