
ITALI- Atmosfera te Interi mbetet e tensionuar pas eliminimit të tyre në raundin e 16-çeve të Kupës së Botës për Klube kundër klubit Fluminense. Tensionet arritën kulmin pasi kapiteni Lautaro Martinez shigjetoi disa lojtarë duke u kërkuar të largohen nëse nuk duan ta veshin fanellën zikaltër.
“Kushdo që nuk dëshiron të jetë këtu, duhet të largohet. Kam parë gjëra që nuk më pëlqyen. Ne kemi nevojë për lojtarë që duan të veshin këtë fanellë dhe kanë mentalitet fitues,”- tha Lautaro.
Deklarata u interpretua menjëherë si një thumb ndaj disa bashkëlojtarëve, dhe presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e konfirmoi hapur: Ai nuk e tha me emër, por po e them unë: ishte për Hakan Calhanoglu. Gjithsesi, nuk duhet ta hedhim fajin vetëm mbi Calhanoglu, do të flasim me të. Për momentin nuk ka kushte për t’i ndarë rrugët tona. Nëse do të ketë, do ta bëjmë pa probleme.
Por Calhanoglu nuk mungoi nga dëshira, por për shkak të një dëmtimi që pësoi pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm.
Reagimi i familjes Calhanoglu nuk vonoi. Së pari bashkëshortja e tij Simen, pastaj ai u përgjigjën nëpërmjet Instagram-it.
Gruaja e turkut publikoi një "Story" ku shkruhejL Disa njerëz nuk janë besnikë ndaj teje. Ata janë besnikë ndaj nevojës së tyre për ty. Sapo ndryshojnë nevojat e tyre, ndryshon edhe besnikëria e tyre. Mos u pendo që ke një zemër të mirë, Hakan.
Më pas, erdhi një postim i gjatë në tre gjuhë i futbollistit, i cili e nisi me shënimin: Shumë është thënë këto ditët e fundit.
Postimi i gjatë i Calhanoglu-t:
Pas dëmtimit që pësova në finalen e Ligës së Kampionëve, vendosëm që unë të udhëtoja me ekipin për në SHBA. Të qenit atje, duke mbështetur djemtë edhe pse nuk mund të luaja, kishte shumë rëndësi për mua. Fatkeqësisht, gjatë stërvitjes në SHBA, pësova një tjetër dëmtim në një zonë krejtësisht tjetër. Diagnoza: një këputje muskuli. Ky dëmtim e bëri të pamundur që unë të isha në fushë gjatë këtij turneu. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Asgjë tjetër pas kësaj. Dje, humbëm. Dhe më dhembi. Ndjeva trishtim, jo vetëm si lojtar, por si dikush që kujdeset vërtet për ekipin. Edhe pse aktualisht jam i lënduar, mora telefonin menjëherë pas ndeshjes dhe telefonova disa shokë skuadre për t'u ngritur moralin. Sepse kjo është ajo që bën kur kujdesesh për ekipin tënd. Çfarë më habiti edhe më shumë ishin fjalët që erdhën më pas. Fjalë që godasin fort. Fjalë që ndajnë, jo që të bashkojnë. Në karrierën time, nuk kam kërkuar kurrë justifikime. Gjithmonë kam marrë përgjegjësi. Kam luajtur edhe pse kam pasur dhimbje. Kam udhëhequr, veçanërisht në momente të vështira. Para së gjithash, jo me fjalë, por me veprime. Unë respektoj çdo mendim edhe nga një shok skuadre, madje edhe nga presidenti i klubit. Por respekti nuk është një rrugë me një drejtim. Gjithmonë kam treguar respekt brenda dhe jashtë fushës, dhe besoj se në futboll, si në jetë, forca e vërtetë qëndron në shfaqjen e respektit, veçanërisht kur emocionet janë të larta. Nuk e kam tradhtuar kurrë këtë klub. Nuk kam thënë kurrë se nuk jam i lumtur te Interi. Kishte oferta në të kaluarën, joshëse. Por qëndrova. Sepse thellë-thellë, e di se çfarë do të thotë kjo fanellë për mua, dhe besoj se veprimet e mia folën qartë. Kam pasur nderin të mbaj shiritin e kapitenit për vendin tim. Dhe kam mësuar se lidershipi do të thotë të qëndrosh pranë ekipit tënd - të mos tregosh me gisht kur është më e lehtë. E dua këtë lojë. E dua këtë klub. Dhe i dua ngjyrat për të cilat kam luftuar çdo ditë. Se çfarë na rezervon e ardhmja, do ta shohim. Por historia gjithmonë i kujton ata që qëndruan drejt, jo ata që bërtitën më fort.
Postimi ndezi reagime edhe për njerëzit që i dhanë një 'like". Ranë në sy pëlqimet e Thuram, Arnautoviç dhe Gaia Lucariello-s, gruaja e Simone Inzaghi-t./ZËRI