
KSAMIL-Zëri ikonik, këngëtarja sa legjendare aq edhe moderne, e muzikës greke, Anna Vissi, që vazhdon të jetë on top në tregun muzikor, për më shumë se katër dekada, do të zbresë më 19 korrik në skenën verore në Arameras, Ksamil, për të hapur sezonin e “Arameras sound”, një sërë koncertesh që do të organizohen gjatë netëve të nxehta pranë zhurmës së dallgëve të detit e freskisë që ofron gjiri magjik i Aramerasit, në Ksamil.
“Se periptosi pou”, “Psihedelia”, “Treno”, “Dodeka”, “Ola ta lefta”, “Kai eho tosa na thimame”, “Horis to moro mou” do të jenë këngët me të cilat Anna Vissi do të ndezi natën e saj në Arameras, për pushuesit shqiptarë e padiskutim dhe për turistët e huaj që po e frekuentojnë çdo vit e më shumë Sarandën, Ksamilin dhe plazhin unik të Aramerasit.
Ky koncert vjen si produkt i “Vita Production” (që do të fokusohet në realizimin e projekteve të këtij lloji në Shqipëri), krijuar nga një prej producenteve më të suksesshme në Shqipëri, Holta Dulaku e cila ka realizuar produksione të mëdha televizive, si patenta ndërkombëtare si “Dancing with the Stars”, “The Farm”, “Tu si que vales”, si dhe muzikale si “Romeo & Zhulieta” apo dhe “Notredam De Paris”.