
SHBA- A është i sigurt përdorimi i acetaminofenit - ose paracetamolit - gjatë shtatzënisë? Debati shkencor është në vazhdim dhe një studim i ri nxjerr në pah një rrezik të konsiderueshëm për zhvillimin e gjuhës së fëmijëve. Studiuesit nga Universiteti Northeastern gjetën një lidhje midis rritjes së përdorimit të acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe problemeve të të folurit.
“Ne zbuluam se fëmijët e nënave që morën më shumë acetaminofen gjatë shtatzënisë prireshin të kishin më shumë vonesë në zhvillimin e gjuhës në fëmijërinë e hershme, veçanërisht djemtë. Lidhja ishte më e fortë gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë,”- tha Dr. Megan Woodbury, një studiuese postdoktorale në Northeastern.
Acetaminophen është një nga medikamentet më të përdorura në mbarë botën dhe Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve e konsideron të sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë për të trajtuar ethet dhe dhimbjet. Megjithatë, hulumtimet kanë treguar lidhje midis përdorimit të acetaminofenit dhe problemeve të vëmendjes dhe sjelljes tek fëmijët, ndoshta sepse ilaçi ndikon në zhvillimin neuro-prenatal.
Në studimin aktual, u shqyrtuan të dhënat e mbledhura nga 532 të porsalindur që merrnin pjesë në Studimin e Zhvillimit të Fëmijëve në Illinois në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign midis dhjetorit 2013 dhe marsit 2020. Përdorimi i acetaminofenit u mat në gjashtë pika kohore gjatë shtatzënisë ( përafërsisht çdo katër deri në gjashtë javë). Fëmijët u vlerësuan për aftësitë e tyre gjuhësore në moshën pak më shumë se dy vjeç dhe në moshën 3 vjeç, dhe këto të dhëna u krahasuan më pas me ato të bashkëmoshatarëve të tyre.
Ekipi hulumtues nuk gjeti asnjë lidhje midis rritjes së përdorimit të acetaminofenit gjatë tremujorit të parë dhe aftësive të vonuara të zhvillimit të gjuhës. Megjithatë, rritja e përdorimit të acetaminofenit gjatë tremujorit të dytë u shoqërua me rezultate më të ulëta në krahasim me bashkëmoshatarët në moshën 3 vjeç.
E njëjta gjë u vërtetua edhe gjatë tremujorit të tretë. Kur u ndanë sipas gjinisë, djemtë, por jo vajzat, demonstruan rezultate më të ulëta gjuhësore se bashkëmoshatarët e tyre./ZËRI