TIRANË- Biletat e ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe janë shitur të gjitha në vetëm pak orë. Federata Shqiptare e Futbollit nxori njoftimin mbrëmjen e të premtes se të gjitha biletat për duelin e rëndësishëm në Tiranë më 20 nëntor kanë avulluar në kohë rekord.
FSHF njoftoi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme daljen e biletave në treg, ndërkohë që dy orë më vonë të gjithë sektorët e Air Albania rezultonin të shitur. Edhe këtë herë tifozët në rrjetet sociale janë ankuar se edhe pse kanë qëndruar për minuta të tëra në faqe, nuk kanë mundur që të blejnë dot biletën, duke hedhur sërish hije dyshimi se një pjesë e tyre mund të jenë shitur në të zezë, siç ndodhi dhe në ndeshjen me Çekinë, që u luajt në muajin Tetor.

Edhe pse përballë vendit të fundit në grup, kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme për Shqipërinë si takimi i fundit në grupet kualifikuese ndërsa kuqezinjtë duan të kthejnë në një festë të vërtetë, pasi kualifikimi për në euro 2024 që luhet në Gjermani është vërtetë shumë afër.
Çmimet e biletave varionin nga 3000 lekë më e lira, deri në 8000 lekë më e shtrenjta. Kombëtarja shqiptare udhëton fillimisht në Moldavi më 17 nëntor, ku edhe aty do te kemi një stadium të tejmbushur ndërsa 3 ditë më vonë pret në Tiranë Ishujt Faroe.
Federata e futbollit në Moldavi konfirmoi se edhe aty biletat për ndeshjen me Shqipërinë ishin shitur në kohë rekord, pasi kombëtarja vendase beson në një mrekulli kualifikimi. Skuadrat e kualifikuara në grupin E duket se do të vendosen vetëm në minutat e fundit të ndeshjeve, pasi deri tani përveç Shqipërisë që matematika i kërkon të paktën 1 pikë për t’u kualifikuar, 3 skuadrat e tjera Çekia, Polonia dhe Moldavia kanë shanse pothuajse të barabarta për kualifikim, duke iu referuar pikëve që kanë arritur të grumbullojnë./Zëri.ai