Qytetërim

Pas akuzave për pandorot, influencerja italiane paditet për vezët e Pashkëve

Influencerja italiane, Chiara Ferragni, pasi u akuzua se ka mashtruar me çmimin e panetoneve, mësohet se gjithashtu ka abuzuar edhe me çmimet e vezëve të Pashkëve. Ajo i ka reklamuar produktet si 'fushatë bamirësie'.

D.XH
Pas akuzave për pandorot, influencerja italiane paditet për vezët
Chiara Ferragni

ITALI – Nuk kanë fund telashet për influenceren italiane Chiara Ferragni. Pas akuzave për ëmbëlsirat Pandoro, ajo tashmë akuzohet se ka shitur shtrenjtë edhe vezët e Pashkëve Dolci Preziosi. Ferragni dyshohet se ka vepruar njësoj, duke shitur me çmim të lartë vezët, duke reklamuar kauzën si një bamirësi.

‘Influencerja’ e Italisë, Chiara Ferragni, ka kërkuar falje edhe për mashtrimin e konsumatorëve në lidhje me blerjet e një torte për Krishtlindje. Zonja Ferragni, e cila ka pothuajse 30 milionë ndjekës në Instagram, u gjobit me 1,075 milionë euro (927,000 £) për pretendimin te konsumatorët se shitja e një ‘pandoro’ rozë do të ndihmonte në financimin e një spitali për fëmijë në Torino.

Prodhuesi i tortës i kishte dhënë para spitalit muaj përpara se ta prezantonte atë, zbuloi Mbikëqyrësi i Konkurrencës. Zonja Ferragni, 36 vjeçe ka premtuar të dhurojë 1 milion euro për spitalin Regina Margherita. Në një deklaratë të postuar për ndjekësit e saj, ajo tha se kishte bërë një gabim në mirëbesim, teksa ka lidhur një aktivitet tregtar me një bamirësi.

Duke u shfaqur me lot në sy, ajo tha se do të apelonte kundër vendimit të autoritetit antitrust të AGCM dhe gjobës që e quajti disproporcionale dhe të padrejtë. "Pandoro Pink Christmas", e cila u etiketua si e dizajnuar nga zonja Ferragni, u shit vitin e kaluar për më shumë se 9 €, më shumë se dyfishi i çmimit të pandoros klasike pa markë, të prodhuar nga kompania Balocco. U zbulua të premten e kaluar se blerësit e tortës pandoro të markës Ferragni ishin mashtruar, duke menduar se blerjet e tyre do të kontribuonin në blerjen e pajisjeve mjekësore për spitalin për trajtimin e fëmijëve.

Zemërimi rreth çështjes bëri që kryeministrja Georgia Meloni të fliste në fundjavë kundër ‘influencerave’, që promovuan torta të shtrenjta, që i bëjnë njerëzit të besojnë se janë bamirës. Grupi i konsumatorëve ‘Codacons’ tha se do të nisë veprime ligjore për të kërkuar kompensim për këdo që kishte blerë tortën, duke menduar se po i jepte para spitalit të fëmijëve të Torinos. Grupi tha se po depozitonte ankesa te 104 prokurorë italianë, duke pretenduar për mashtrim të rëndë.

Mbikëqyrësi i AGCM tha se reklamat e rreme kishin shfrytëzuar ndjeshmërinë e konsumatorëve ndaj nismave bamirëse, veçanërisht ato që ndihmojnë fëmijët me sëmundje të rënda. Kjo shkelte kodin e konsumatorit të Italisë dhe përbënte praktikë të padrejtë tregtare. AGCM gjobiti prodhuesin e tortës, Balocco, me 420,000 euro dhe dha gjobë më shumë se 1 milion euro për dy kompanitë që menaxhojnë markat dhe të drejtat e Chiara Ferragni-t. AGCM tha se Balocco kishte bërë tashmë një donacion prej 50,000 € për spitalin, disa muaj përpara se torta të dilte në shitje, ndërsa kompania kishte paguar dy kompanitë e zonjës Ferragni rreth 1 milion € për promovimin./ZËRI/

Poll

MOS HUMB