
TIRANË- Panariri i 26-të i Librit u mbyll dhe bashkë me të dhe polemikat që e shoqërojnë atë çdo vit. Që nga botimet e reja, autorët e rinj dhe emrat e zëshëm të letërsisë dhe publicistikës, ky panair i bëri bashkë të gjithë në Pallatin e Kongreseve ku për katër ditë (15-19 nëntor), të gjithë dashamirësit e librave gjetën strehën e tyre dhe morën librin e preferuar. Ashtu si dhe në vitin e shkuar dhe këtë vit, botimet për fëmijë zunë një peshë të rëndësishme në panair me botime të reja dhe autorë të huaj dhe shqiptarë. Letërsia shqiptare kryesonte me autorë të rëndësishëm si Ismail Kadare, Ben Blushi dhe Mira Meksi. Ndërkohë, që letërsia e huaj u dominua nga Umberto Eco, me dy perlat e tij, “Emri i trëndafilit”, dhe “Varreza e Pragës”.
Të kontaktuar nga ZËRI, Shtëpia e Botuesve Shqiptarë u shpreh se Panairi i 26-të i Librit ishte më mirë nga pjesëmarrja dhe autorët e rinj në krahasim me vitin e shkuar. Kjo jo vetëm me numrin e pjesëmarrëve, por dhe me botimet e reja dhe autorët e rinj që iu shtuan shtëpive botuese.
Gazetari dhe publicisti Ben Blushi kryesonte TOP 10 listën me autorët më të lëxuar me rreth 2000 kopje të shitura. “Komploti” i tij ia doli të tërhiqte me mijëra lexues, të cilët morën dhe autograf nga autori. Ndërkohë saga e Harry Potter vijon të jetë e preferuara e të rinjve. Ismail Kadare, Umberto Eco dhe Mira Meksi sërish dhe këtë panair kryesuan shifrat.
Autorët më të lexuar, veprat e tyre më të shitura të këtij viti:
Ben Blushi- Komploti
J.K.Rowing me serinë e Harry Potter
Ismail Kadare
Julia Navarro- Nga asnjëra anë, Më thuaj kush jam, Qëllo,tashme jam i vdekur etj
Milan Kundera
Umberto Eco- Emri i trëndafilit, Varreza e Pragës etj.
Enkel Demi
Mira Meksi- Parisi vret
Erih Maria Remark
Carlos Ruiz Zafon
Agatha Christie.
Për botuesit e rinj, problemi më i madh ishte marketimi i punës së tyre. Të përballur me emra të sukseshëm të ekranit si Ben Blushi, Mira Meksi, Rudina Çupi apo Blendi Fevizu, ata e ndjenin vetëm “të cunguar” përballë reklamimit të tyre.
Ajo që bie në sy në listën me librat më të shitur të vënë në dispozicion për ZËRIN, nga Shtëpia e Botuesve Shqiptarë është mungesa e librit të Blendi Fevziut, “Takimet e mia me…”.
Çmimet e Panairit të 26-të Librit u ndanë nga një juri profesionistësh e përbërë nga:
Arta Marku, gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare
Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar
Enkel Demi – shkrimtar
Erion Kristo – pedagog, përkthyes
Monika Stafa – gazetare e kulturës
Ndërkohë që çmimet u ndanë:
Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Mira Meksi, për romanin “Parisi vret”, me këtë motivacion:
"Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës."
Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me këtë motivacion: "Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës... Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore."
Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me këtë motivacion:
"Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik."
Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 i jepet znj. Rudina Çupi, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me këtë motivacion: "Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën."
Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge i jepet Znj.Diana Çuli për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me këtë motivacion:"Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese."
Të pyetur nga ZËRI, duket se shqiptarët i janë rikthyer sërish librit, ndërkohë që të rinjtë janë gjithnjë e më shumë në rritje./ZËRI