
GJERMANI- Shorti për Euro 2024, që do të luhet gjatë verës së ardhshme në Gjermani do të hidhet në sallën e ‘Elbphilharmonie’ të Hamburgut të shtunën në mbrëmje, ndërsa Anglia zbulon se kë duhet të kalojë në fazën e grupeve, me qëllim që më në fund ta fitojë një trofe, që aq shumë ka munguar.
Anglia e kaloi fazën kualifikuese e pamposhtur me gjashtë fitore dhe dy barazime - megjithatë, faza më e ‘nxehtë’ tani ka nisur. Menaxheri Gareth Southgate do të finalizojë planet e tij të përzgjedhjes së lojtarëve për turneun, teksa shumë çështje janë në tavolinë.
Prova e fundit e Southgate?
Ky do të jetë turneu i katërt i madh i Southgate si trajner i Anglisë dhe do jetë ndoshta prova e tij e fundit që të fitojë një trofe madhor me ‘3 luanët’. Logjika dikton që nëse Anglia nuk fiton, Kombëtarja e Anglisë do të duhet të rishikojë veten. Nëse Anglia e fiton Europianin, Southgate mund të kërkojë zgjatje të kontratës, që mbaron më 2024.
Southgate, natyrisht, mund të dëshirojë të qëndrojë edhe në Kupën e Botës 2026, por e gjitha kjo varet nga rrugëtimi në Europianin e Gjermanisë. Ashtu si me të gjithë trajnerët e Anglisë, rezultatet janë ato që tregojnë vlerën e trajnerit. Anglia ka një ‘thatësirë’ sa i përket një trofeu të fituar në futboll për meshkuj me Kombëtaren A, që në Kupën e Botës 1966. Southgate humbi në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 kundër Kroacisë, në finalen e Euro 2020 kundër Italisë në Uembley dhe humbi në çerekfinalen e Kupës së Botës nga Franca në Katar një vit më parë. Ajo që nuk duhet harruar, megjithatë, është se Southgate trashëgoi një rrëmujë kaotike dhe arriti të ngrejë Kombëtaren angleze në tjetër nivel, duke qenë lart në renditjen e FIFA-s.
A do të zgjasë besnikëria e Southgate?
Southgate ka qenë pafundësisht besnik ndaj lojtarëve të Anglisë që i kanë shërbyer mirë atij vitet e fundit, madje disa prej tyre nuk i ka zëvendësuar, edhe nëse ata kanë pasur luhatje ndonjëherë në lojë. Rastet kryesore kanë qenë mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, Kalvin Phillips i Manchester Cityt dhe ish-kapiteni i Liverpool, Jordan Henderson. Southgate qëndroi në mënyrë të vendosur pranë Maguire edhe kur ai u margjinalizua nga menaxheri i Manchester United, Erik ten Hag dhe vuante talljet e tifozëve të tij, ndërsa Phillips është përzgjedhur, pavarësisht faktit se dhe ai ka pasur kritika. Henderson gjithashtu ka luajtur për Anglinë, pavarësisht se tani është një 33-vjeçar që luan në Ligën Pro Saudite. Ai ka ndjerë edhe zemërimin e tifozëve anglezë pas largimit të tij nga Liverpool. Southgate ka mbrojtur Maguire dhe Henderson, duke qëndruar përkrah atyre, që kanë kontribuuar për Anglinë në të kaluarën.
Problemi i Maguire është zgjidhur kohët e fundit, të paktën tani për tani, pasi ai është sërish në 11-tëshen e United. Po me Raheem Sterling çfarë do ndodhë? Ai ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Southgate, por u tërhoq nga kualifikueset e Euro 2024 kundër Maltës dhe Maqedonisë së Veriut në fund të sezonit të kaluar, për t'u përqëndruar në ‘rindërtimin’ e gjendjes së tij fizike.
Sterling ka treguar formë të përmirësuar për Chelsean, por ka konkurrencë të fortë me Foden, Grealish, Saka, Marcus Rashford të Manchester United dhe Jarrod Bouen të Uest Ham. Cole Palmer, bashkëlojtari i ri i Sterling në Stamford Bridge, tani është shfaqur gjithashtu në formë. Southgate me të drejtë pyet se kë duhet të heqë për të pasur të sigurt kthimin e Sterling. Ai këmbëngul se dera është ende e hapur, por duket se Sterling përballet me një detyrë të vështirë për të fituar një vend në 11-tëshen e Anglisë në Euro 2024.
A mund ta fitojë Anglia Euro 2024?
Po. Absolutisht. A do ta arrijnë lojtarët këtë sukses? Kjo është pyetja e madhe. Aftësia është, forca e skuadrës është, por a mund t'i bashkojnë të gjitha pjesët së bashku për të përfunduar më në fund punën deri në fund, kur ata kanë dështuar në të kaluarën? Me Kane dhe Bellingham, Southgate ka dy lojtarë që do t'i ketë zili çdo skuadër tjetër në Euro 2024. Ata janë talentë të klasit botëror, që jo vetëm japin për Anglinë, por kanë bërë edhe paraqitje mahnitëse që kur iu bashkuan Bayern Munich dhe Real Madridit, respektivisht. Anglia ka një larmi të madhe në sulm, një bazë solide në mesfushë përmes Rajs të Arsenalit dhe një portier të klasit të lartë si Jordan Pickford.
Pyetjet mbeten në lidhje me mbrojtjen qendrore të Anglisë kundër kundërshtarëve të kalibrit më të lartë, por çfarëdo që të dalë nga shorti i së shtunës, Southgate dhe lojtarët e tij nuk duhet të kenë frikë nga askush. Muajt e parë të vitit 2024 do të jenë vendimtarë për shumë figura kyçe në skuadrën e Anglisë. Në Gjermani, anglezët nuk ka arsye për të mos triumfuar./Zëri.ai/