
ARABIA SAUDITE-Piloti australian Oskar Piastri është lideri i ri i Kampionatit Botëror të Formula 1 pas fitores në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite. Piloti i MekLaren dominoi garën në cirkuitin e Gedas, duke regjistruar fitoren e tretë sezonale dhe duke kaluar në klasifikim e përgjithshëm shokun e skuadrës, që po ashtu po bën një sezon shumë të mire, Lando Norrisin.
Në podium u ngjit Max Verstappen, pas një penalizimi pesësekondësh për një manovër të parregullt në xhiron e pare dhe Çarls Leklerk, i cili, përpos pritshmërive të larta, vetëm në Arabi mundi të regjistrojë podiumin e parë për skuderinë e kuqe.
Leklerku zhvilloi një garë të shkëlqyer, duke u nisur nga vendi i katërt dhe duke u ngjitur në të tretin. Ai dhe skuadra e tij menaxhuan më mirë konsumimin e gomave sesa rivalët. Leklerku parakaloi në pistë Xhorxh Rasëllin në xhiron e 37-të dhe ruajti pozicionin me mjeshtëri ndaj sulmeve të forta nga Lando Norrisi. Britaniku Norris i Meklarenit u rendit i katërti.
Ljuis Hamiltoni, të qenit larg pritshmërive, e ka kthyer në normë. Ai u rendit vetëm i shtati, në një fundjavë tjetër aspak shkëlqyese për shtatë herë kampionin e botës.
Sa u takon të rinjve, Kimi Antonelli, vetëm 18 vjeç, u rendit i gjashti në Geda, duke lënë pas emra si Rasëll dhe Hamilton. Isak Hajdari u klasifikua i dhjeti, ndërsa Oliver Birmani përfundoi garën para shokut të ekipit Esteban Okonin, duke lënë përshtypje pozitive. Më poshtë në renditje përfunduan Doohan dhe Bortoleto, ky i fundit pranë një kontakti të rrezikshëm me mentorin e tij Fernando Alonso.
Pas dy javësh do të zhvillohet Çmimi i Madh i Majemit në SHBA dhe Piastri do të mbërrijë për herë të parë si lider i kampionatit, (99) me 10 pikë më shumë se sa Lando Norrisi./ZËRI