
GREQI- Orë kritike për këngëtaren e njohur greke, Marinela, e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi pësoi hemoragji cerebrale, teksa ishte duke kënduar në skenë. 86-vjeçarja u rrëzua në skenë teksa ishte duke kënduar, ndërkohë që sipas mjekëve gjendja paraqitet kritike, edhe pse ajo tashmë është e vetëdijshme, ndërsa shfaq vështirësi në komunikim.
Ajo u dërgua me urgjencë drejt spitalit, ku po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët. Marinela është një prej këngëtareve më të njohura greke, e quajtur ndryshe dhe si zonja e skenës.
Gjithçka ndodhi teksa ajo ishte duke interpretuar këngën e saj të tretë në skenë, ‘fjalë të panevojshme’ që ka qenë një prej hiteve më të dëgjuara në karrierën e Marinelës. Në vargun “O Zot, na mësove sa shumë të duam” interpretuesja 86-vjeçare u rrëzua në skenë duke i rënë të fikët dhe menjëherë muzikantët e saj nxituan për ta ndihmuar.
Publiku qëndroi në vendet e veta për disa kohë, derisa u njoftua nga produksioni se koncerti ishte shtyrë përfundimisht. Më pas spektatorët nisën të largoheshin nga Herodion, ndërsa diskutimet ishin vetëm se çfarë ndodhi me zonjën e madhe të këngës greke.
Menjëherë në vendin ku po mbahej koncerti është shfaqur vajza e këngëtares, Tjortina, e cila ka ndjekur nga afër situatën shëndetësore të nënës së saj, ndërkohë që lutjet e të gjithë grekëve janë me familjen e Marinelës./ZËRI