
AUSTRALI - Historia duket si një dramë kriminale e Netflix, por për fat të keq është plotësisht e vërtetë. 71-vjeçarja franceze Gisèle Pelicot zbuloi se për gati dhjetë vjet, nga viti 2011 deri në vitin 2020, burri i saj, Dominique Pelicot, i kishte dhënë pilula gjumi dhe antidepresantë për ta droguar. Më pas, përmes një rrjeti që kishte krijuar në internet, ai sillte në shtëpi burra të panjohur të cilët e përdhunonin Gisèlen, ndërkohë që ai regjistronte gjithë atë që ndodhte.
Dita tjetër fillonte sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ai kthehej në rolin e babait dhe gjyshit të dashur ndërsa ajo zgjohej dhe shkonte të blinte bukë tek furra e bukës dhe të bënte një bisedë me fqinjët e saj. Ata konsideroheshin si çifti perfekt. Dominique Pelicot mund të kishte vazhduar i patrazuar me jetën e tij të dyfishtë, nëse nuk do të ishte parë rastësisht nga një roje sigurie supermarketi duke fotografuar fshehurazi të pasmet e grave . Siç u zbulua, në vitin 1999 ai ishte përballur me akuzat për sulm dhe tentativë përdhunimi të një vajze 19-vjeçare.
Kur policia i mori celularin, gjeti materialet e neveritshme. Ai ia tregoi Gisèles, por asaj iu desh pak kohë për ta njohur veten. Nga burrat që e përdhunuan, ajo njohu vetëm bukëpjekësin.
“Më sakrifikuan në altarin e imoralitetit. Më trajtuan si një kukull pa jetë, si një qese plehrash,"- tha ajo.
Gratë si Gisèle janë ndoshta më shumë sesa mund të imagjinojmë, sipas një artikulli të Marie Claire Australia.
Ndër substancat që u jepen grave pa dijeninë e tyre është GHB, me përbërësin aktiv butanediol, të cilin të dhënat australiane e kanë lidhur me sulmet seksuale. Këto kryhen shpesh jo vetëm nga të huaj, por edhe nga burra që i përkasin mjedisit të ngushtë familjar të viktimës.

Disa gra që shkojnë në klinikë “e dinë se diçka u ka ndodhur, por nuk e dinë saktësisht se çfarë. Ato mund të kenë vërejtur mavijosje në duar ose dëmtime në organet gjenitale. Ndonjëherë ndihen letargjike ose mendojnë se vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike”.
Shumë e kuptojnë se kanë qenë viktimë e sulmit seksual vetëm pasi kanë vizituar gjinekologun ku, për shembull, mund të zbulojnë se vuajnë nga një sëmundje seksualisht e transmetueshme, ose kur zbulojnë se janë shtatzënë. Të tjera i zbulojnë rastësisht nga pamjet e krimit, siç ndodhi me Gisèle./ZËRI