Qytetërim

Një tjetër lamtumirë e madhe madrilene në Kupën e Botës për Klube

Pas 13 sezonesh të jashtëzakonshme, mesfushori kroat 39-vjeçar lë pas një karrierë të lavdishme në klub, ku ka fituar një rekord prej 28 trofesh

Redaksia Zëri
Një tjetër lamtumirë e madhe madrilene në Kupën e
Luka Modriçi

SHBA-Luka Modriçi do të largohet nga Reali i Madridit këtë verë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara pas 18 qershorit.

Pas 13 sezonesh të jashtëzakonshme, mesfushori kroat 39-vjeçar lë pas një karrierë të lavdishme në klub, ku ka fituar një rekord prej 28 trofesh, përfshirë gjashtë Liga të Kampionëve dhe Topin e Artë në vitin 2018. Në sezonin e fundit, edhe pse ka patur një rol të reduktuar, Modriçi ka luajtur në 34 ndeshje të La Ligës, duke e nisur në 16 prej tyre si titullar.

Reali i Madridit ka njoftuar me shumë mirënjohje për kroatin largimin e kapitenit të tyre legjendar dhe ka paralajmëruar një homazh në stadiumin “Santiago Bernabéu” të shtunën, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në stadiumin historik. Lamtumira përpara tifozëve do të jetë në Kupën e Botës, me trajnerin e ri Alonso.

Vetë Modriçi, përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, u shpreh se po largohet me zemër të mbushur me krenari, mirënjohje dhe kujtime të paharrueshme, duke thënë se edhe pse nuk do ta veshë më fanellën, do të mbetet gjithmonë një tifoz i Realit të Madridit.

Me largimin e Modriçit dhe trajnerit Karlo Ançeloti, që pritet të zëvendësohet nga Ksabi Alonsoja, Reali i Madridit po përgatitet për një riorganizim të madh gjatë verës. Presidenti Florentino Perez deklaroi se Modriçi do të mbetet përgjithmonë në zemrat e tifozëve si një futbollist unik, që ka përfaqësuar gjithmonë vlerat e klubit. Largimi i një prej emrave më të mëdhenj të historisë së Realit shënon fundin e një epoke të lavdishme në “Bernabéu” dhe hapjen zyrtare të një epoke të re, pasi për më shumë se 1 dekadë truri i fushës dhe regjisori i Realit në fusha ka qenë pikërisht kroati./ZËRI

Poll

MOS HUMB