GJERMANI- Lamine Yamal ka qenë padyshim një prej fenomeneve të këtij europiani, ku përveç trofeut që arriti të fitonte me kombëtaren spanjolle, ka thyer edhe disa rekorde në aspektin personal. Ai u shpall nga UEFA si lojtari më i mirë i kampionatit për moshat e reja, ndërsa në fund të ndeshjes festoi me të gjithë familjen e bashkuar. Në fotot e bëra virale në media, Yamal shihet se bashku me të dashurën e tij, babanë, të ëmën dhe partnerin e saj, si dhe me vëllanë e vogël 2-vjeçar. Fotoja teksa i tregon trofeun e fituar këtij të fundit ka rrëmbyer zemrat e të gjithë ndjekësve dhe fansave të talentit spanjoll.
“Është një ëndërr që bëhet realitet. Mezi po presim të kthehemi në Spanjë dhe të festojmë bashkë me tifozët”, tha Lamine Yamal, që realizoi edhe një gol në gjysmëfinalen ndaj Francës.
“Është e mrekullueshme të jem këtu me familjen time. Shorti na vuri në vështirësi, por ne e njohim këtë ekip dhe në fund fituam. Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar shumë”, shtoi më tej talenti. /ZËRI