Qytetërim

Miyazaki s'ka pasardhës! Studio Ghibli blihet nga Nippon TV

Që nga themelimi i saj në 1985, Studio Ghibli ka qenë i njohur për animacionin e tij të vizatuar me dorë, duke iu përmbajtur metodave të vjetra dhe të mundimshme të vizatimit kornizë për kornizë.

k.m.
Miyazaki s'ka pasardhës! Studio Ghibli blihet nga Nippon TV
Totoro

JAPONI- Kompania ikonë e animacionit "Studio Ghibli", e cila krijoi filma të dashur ndërkombëtarisht si "My Neighbor Totoro" dhe "Spirited Away", i është shitur Nippon TV pasi nuk arriti të gjejë një pasardhës të regjisorit legjendar Hayao Miyazaki. Bordi i drejtorëve të dy kompanive u takua të enjten dhe miratuan një rezolutë që e lejon Nippon TV të blejë aksione të Studio Ghibli, duke e kthyer atë në një degë të rrjetit televiziv. Kushtet financiare të marrëveshjes nuk u zbuluan. Por sipas marrëveshjes së re, Nippon TV do të bëhet aksioneri më i madh i Ghibli me 42.3% të aksioneve.

“Me regjisorin Hayao Miyazaki që është 82 vjeç dhe producentin Toshio Suzuki 75 vjeç, Studio Ghibli ka kohë që po lufton për gjetjen e pasardhësve të tyre,"-thuhet në deklaratën e tyre zyrtare.

Djali i madh i Miyazaki, gjithashtu regjisor i filmave të animuar, ishte sugjeruar "në mënyrë të përsëritur" si një pasardhës i mundshëm i babait të tij - por e kishte refuzuar propozimin duke u shprehur se do të ishte e vështirë për të. E ardhmja e studios ka qenë një pyetje e hapur për shumë vite, me Miyazaki që njoftoi tërheqjen e tij që në vitin 2013.

Që nga themelimi i saj në 1985, Studio Ghibli ka qenë i njohur për animacionin e tij të vizatuar me dorë, duke iu përmbajtur metodave të vjetra dhe të mundimshme të vizatimit kornizë për kornizë. Miyazaki konsiderohet nga shumë njerëz si një nga animatorët më të mëdhenj në botë dhe një ikonë e kulturës popullore japoneze, pasi filmat e tij kanë formësuar industrinë e animacionit dhe kanë fituar vlerësimin e kritikëve në mbarë botën.

Ai kishte paralajmëruar pensionin, por prodhoi edhe filmin e fundit “The Boy and the Heron”, i cili u publikua në fillim të këtij viti. Filmit iu deshën 7 vjet për t'u krijuar. Miyazaki ka bërë filma të shumtë që bashkojnë fantazinë me çështje serioze dhe filozofike, duke përfshirë kujdesin për mjedisin, feminizmin dhe mesazhet kundër luftës. Por ishte "Spirited Away" filmi që i solli atij famë ndërkombëtare, projekt që grumbulloi një rekord prej 274 milionë dollarësh dhe një Oscar për filmin më të mirë të animuar./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB