
PARIS- Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) njoftoi të premten se atletët rusë dhe bjellorusë, që janë kualifikuar në ‘Paris 2024’ do të kenë të drejtë të garojnë si atletë neutralë – me kusht që të plotësojnë kërkesat e pranueshmërisë.
Vendimi vlen vetëm për atletët individualë dhe nuk përfshin ekipe nga ato vende, thuhet në njoftimin e IOC. Atletët që mbështesin në mënyrë aktive luftën, ose që janë të kontraktuar në shërbimet ushtarake të vendit të tyre, gjithashtu nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë.
IOC tha se Atletët Individualë Neutralë (AIN) që janë kualifikuar përmes sistemeve ekzistuese të kualifikimit të Federatave Ndërkombëtare (IF) në fushën e lojës do të shpallen të kualifikuar për të garuar në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. “Atletët individualë neutralë janë atletë me pasaportë ruse ose bjelloruse”, thuhet më tej në deklaratën e IOC.
Atletët rusë dhe bjellorusë u ndaluan nga shumica e garave ndërkombëtare në shkurt 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës. Edhe Bjollorusia u përfshi në sanksione, pasi akuzohet se ka ndihmuar Moskën. Sidoqoftë, në mars, IOC përshkroi një plan me shumë hapa për atletët rusë dhe bjellorusë, me qëllim që të marrin pjesë në ‘Paris 2024’ vitin e ardhshëm.
Ishte një vendim që tërhoqi kritika. Një deklaratë e përbashkët nga grupi i të drejtave të atletëve Global Athlete dhe Atletët ukrainas thanë se planet vetëm sa forconin makinerinë propagandistike të Rusisë. Të premten, IOC tha nga 4,600 atletë që tashmë janë kualifikuar në Paris 2024, vetëm tetë kishin një pasaportë ruse, plus tre kishin një pasaportë bjelloruse.
“Asnjë flamur, himn, ngjyra apo ndonjë identifikim tjetër i Rusisë apo Bjellorusisë nuk do të shfaqet në Lojërat Olimpike Paris 2024”, tha IOC të premten. Institucioni i sportit shtoi: “Mbrojtja e të drejtave të sportistëve individualë për të marrë pjesë në gara, pavarësisht pezullimit është një praktikë e mirëvendosur, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe është zbatuar në një sërë rastesh, gjatë Lojërave Olimpike të kaluara”./ZËRI/