Qytetërim

“Match day”! 90 minuta për 1 pikë, kuqezinjtë kanë me vete historinë përballë Moldavisë

Në rast barazimi apo fitoreje Kombëtarja Shqiptare prek kualifikimin në Euro 2024

E.K
“Match day”! 90 minuta për 1 pikë, kuqezinjtë
Kombetarja shqiptare

MOLDAVI- Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luan sot një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj, ku edhe në rast barazimi, matematikisht do të ishte kualifikuar për në europianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Përballë Moldavisë nuk do të jetë e lehtë, pasi tekniku i vendasve është shprehur se nëse është e nevojshme lojtarët do të vdesin në fushë, në mënyrë që të marrin një fitore kundrejt kuqezinjve. Momentalisht Kombëtarja Shqiptare gëzon një formë të mirë, brenda dhe jashtë fushe, ndërkohë që sa i përket formacionit trajneri Silvinjo, nuk premton surpriza, dhe i beson pothuajse të njëjtëve lojtarë që kanë luajtur dhe në ndeshjet me Çekinë dhe Poloninë.

Përveç formës së mirë dhe moralit të lartë, edhe historia e përballjes mes dy skuadrave flet në emër të Shqipërisë, e cila ka korrur 5 fitore në ndeshjet me Moldavinë dhe vetëm një barazim. Por pavarësisht historisë, Moldavia ka qenë surpriza e fazës në grupe, pasi ka grumbulluar 9 pikë në këto eleminatore, ndërkohë që fitorja ndaj nesh për ta, do ti bënte të ëndërronin arritjen për herë të parë në historinë e moldavëve në kompeticionin më të rëndësishëm europian për kombëtare. Teksa takimi i fundit i Moldavisë në grupin E do të jetë ndaj Çekisë, në transfertë.

HISTORIKU I PËRBALLJES MES DY SKUADRAVE:

Historia flet në favor të Kombëtares Shqiptare. Triumfi i fundit ndaj moldavëve ishte më 17 qershor në ‘Air Albania’. Të besuarit e Silvinjos fituan 2-0, me golat e Asanit dhe Bajramit. Në 2019, Shqipëria korri sukses në të dyja sfidat ndaj kundërshtarëve, në eleminatoret për ‘EURO 2020’, teksa në Elbasan Arena fituam 2-0 dhe në Moldavi takimi u mbyll 0-4 për tanët.

Në të vetmen ndeshje që Moldavia ka arritur të na shënojë ka qenë për kualifikueset e Europianit të 1996-s, ku sërish janë mposhtur në shtëpi 2-3 nga kuqezinjtë, teksa takimi i parë i luajtur në Tiranë kishte përfunduar 3-0. Dy kombëtaret kanë zhvilluar edhe 1 takim miqësor së bashku në vitin 2012, e mbyllur pa gola.

29 mars 1995: Shqipëri-Moldavi 3-0 / Kampionati Europian

7 qershor 1995: Moldavi-Shqipëri 2-3 / Kampionati Europian

15 gusht 2012: Shqipëri-Moldavi 0-0 / Miqësore

11 qershor 2019: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian

14 tetor 2019: Moldavi-Shqipëri 0-4 / Kampionati Europian

17 qershor 2023: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian

FORMACIONI I KUQEZINJVE

Në portë Silvinjo pritet të hedhë nga minuta e parë Etrit Berishën, ndërkohë që në mbrojtje pas dëmtimit të Arlind Ajetit, do të rreshtohen: Hysaj, Gjimshiti, Simajli dhe Mitaj. Mesfusha do ti besohet Ramadanit, Asllanit dhe Bajramit. Ndërkohë që treshja e sulmit do të përbëhet nga Cikalleshi në majë, Seferi dhe Asani nga krahët. Këta dy të fundit kanë gjetur gola spektakolarë në ndeshjet që u luajtën gjatë muajit Tetor në Air Albania.

SILVINJO: NUK LUAJMË PËR BARAZIM

Trajneri i Kombëtares Shqiptare ka thënë se Shqipëria nuk do të zbresë në fushën e lojës me mendjen për të marrë barazimin, sepse menaxhimi i ndeshjes do të bëhej shumë i vështirë.

“Unë mendoj se të dyja skuadrat e nisin ndeshjen për fitore. Nëse dy ekipe barazojnë dhe nëse ajo ndodh ekipet nuk janë të afta të fitojnë, pra barazimi është pasojë e lojës. Nuk menaxhohet ndeshja për një pikë. Të dy ekipet vijnë në këtë sfidë për fitore. Është një fitore për ne. Karikimi është i duhur, Moldavia ekip i fortë në shtëpi ka fituar me Poloninë dhe ka barazuar me Çekinë.

E dimë se kemi një finale dhe një ndeshje të rëndësishme. Lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe janë të ndërgjegjshëm që nuk ka mbaruar asgjë për kualifikimin. Kemi bërë një ndeshje të mirë në shtëpi me Çekinë. Jemi përgatitur dhe nuk ka ndryshim në forcën tonë. Luajmë ndaj Moldavisë, një ekip i fortë, shumë cilësor me lojtarë të mirë dhe fizikë, dhe shumë e vështirë në shtëpinë e saj”, deklaroi Sylvinho në konferencën e djeshme me gazetarët.

NDESHJA ME ISHUJT FAROE, FESTË APO BETEJA E FUNDIT

Në rast të një rezultati pozitiv me Moldavinë, ndeshja me Ishujt Faroe që do të mbahet në Tiranë të hënën do të ishte thjesht festa e madhe e kualifikimit. Me renditjen aktuale Shqipëria ka shanse reale për të kapur edhe vendin e parë në grup, që do ti jepte një komoditet edhe në renditjen e vazove, që përcaktojnë grupet për në Euro 2024. Në rast kualifimi, kjo do të ishte hera e dytë në historinë e Kombëtares Shqiptare vtë Futbollit që të kualifikohej në njuë kompeticion europian.

Kështu që sot mos harroni, të gjithë në orën 18:00 përpara ekranit të televizorit, për të ndjekur një nga ndeshjet më emicionuese të Kombëtares Shqiptare! Le të kryqëzojmë gishtat! /Zëri.ai

Poll

MOS HUMB