
BRUKSEL- Agjencia Europiane e Mjedisit ka publikuar raportin me titull "Cilësia e ujërave të larjes në Evropë në vitin 2024". Në këtë raport janë analizuar cilësitë e ujërave në Evropë për të krijuar një hartë për t'u ardhur në ndihmë njerëzve lidhur me vendet ku do të notojnë gjatë pushimeve të tyre dhe jo vetëm. Raporti është botuar në kontekstin e planit të veprimit për ndotje zero të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2024, mbi 85% e ujërave të larjes në BE në pothuajse 22,000 vende u vlerësuan si të shkëlqyera, ndërsa 96% e tyre përmbushën të paktën cilësinë minimale të kërkuar nga BëD - kjo përqindje nuk ka ndryshuar nga viti i shkuar. Megjithatë, 1.5% e ujërave të larjes në BE ishin me cilësi të dobët, duke treguar se masat e menaxhimit nuk ishin gjithmonë të përshtatshme ose nuk po zbatoheshin fare.
Cilësia e ujërave bregdetare është përgjithësisht më e mirë se ajo e lumenjve dhe liqeneve. Në vitin 2024, rreth 89% e ujërave bregdetare të larjes në BE u klasifikuan si të shkëlqyera, krahasuar me 78% të liqeneve dhe lumenjve. Nga Atlantiku në Mesdhe, shumica e ujërave të larjes në Evropë janë të një cilësie të shkëlqyer për not kur vlerësohen kundrejt parametrave. Edhe kur testohen për "Escherichia coli" [E. coli].
Por si listohet Shqipëria?
Sipas analizave që janë bërë në Shqipëri, renditja e kategorive është kjo!
Shkëlqyeshëm- 16.05
Kualitet i mirë- 49.6%
Mjaftueshëm- 11.8%
Kualitet i keq- 22.7%
E paklasifikuar- 0%
Edhe pse rezultatet duken të mira, Shqipëria listohet e fundit nga vendet e Europës. Në krye të klasifikimit qëndron Qipro e cila ka 99.2% të ujërave të notimit me cilësi të shkëlqyer. Në "TOP 5", po ashtu listohet Bullgaria, Greqia, Austria dhe Kroacia. Në fund të tabelës bashkë me Shqipërinë listohet Belgjika, Hungaria, Estonia dhe Polonia. Renditje kjo zhgënjyese për të gjithë turistët por edhe pushuesit vendas që tashmë me rritjen e temperaturave do t'i drejtohen bregut të detit për të shijuar verën.
Por cilët janë brigjet me det të shkëlqyer në Shqipëri? Kjo nuk dihet.
Agjencia Evropiane e Mjedisit në raportimin e saj për Shqipërinë të drejton tek linkun e faqes shqiptare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të parë hartën e cilësisë së ujërave në vendin tonë. Por nëse e klikon, të del vetëm: 404! Ohh! Page Not Found.
Pra, nuk ka asnjë të dhënë të disponueshme për publikun. Cilësinë e ujit, ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri duhet ta masim me hamendësim./ZËRI
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU