
SHKODËR- Këngëtari i njohur, Bujar Qamili ka dhënë versionin e tij lidhur me koncertin e anuluar brenda stadiumit "Loro Boriçi". Në një intervistë të dhënë "Shqipëria Live", këngëtari ka zbuluar edhe bisedimet mes kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Becit, vetë atij dhe presidentit të KF "Vllaznia", Alban Xhaferi. Në prononcimin e tij, Bujar Qamili tha se edhe vetë ka tentuar që të kontaktojë me Xhaferin për të zhvilluar koncertin në stadium, por nuk ka marrë asgjë përgjigje prej tij. Kështu që u detyrua që recitali të zhvendosej në sheshin para Bashkisë së Shkodrës. Edhe njëherë, Bujar Qamili lajmëroi se koncerti do të ishte falas për të gjithë dashamirët e muzikës së tij.
FJALA E PLOTË:
Arti dhe futbolli japin të njëjtën kënaqësi. Kanë vite që shkodranët kërkojnë që të unë të bëj një koncert në stadium. Unë kam ndjekur një rrugë ligjore, i jam drejtuar me një kërkesë Bashkisë Shkodrës dhe Këshillit Artistik të Shkodrës. Ma kanë miratuar dhe më kanë thënë që Koncerti do të bëhet. Këto punët e tjera se duhet të pyetet presidenti i Vllaznisë, a shoqata, unë nuk i di. Sepse nuk jam marrë kurrë me këtë punë. Koncerte janë bërë edhe në stadiumin që ka luajtur Kombëtarja. Pse bëhet aty dhe jo në stadiumin që laun Vllaznia? Nuk është dita e ndeshjes. Ndeshjen miqësore e kanë vendosur pasi kanë marrë vesh që do të bëhet koncerti im. Presidenti i Vllaznisë është sponsor tek koncerti im, kam relata shumë të mira me të, kam qenë një nga tifozët e thekur, por kjo duhet të zgjidhet nga gazetarët. Fillimisht dolën dhe thanë se dëmtohet fusha. Kjo nuk është e vërtetë sepse nuk do vinim asnjë gozhdë në fushë. Vendosëm që ta bënim mbas porte koncerti. Me datën 17 kur kemi folur për të bërë koncertin, në ato moment ka pasur një reagim nga stafi i Vllaznisë, kanë dalë dhe me një konferencë shtypi. Vetëm dje i kam rënë telefonit të Albanit, nuk ma ka hapur. I shkrova mesazh: Të ftoj për kafe jam me kryetarin! Kryetari (Benet Beci) i ka rënë tre ditë telefonit. Unë nuk merrem me këto punë. Koncerti ka qenë falas. Dua ta bëj falas! Kam qejf ta bëj, dua ta bëj falas. E falenderoj Benet Becin, u bëftë 100 vjeç për mua se më krijoi mundësinë që të bëj koncertin. U bë reagimi që nuk bëhet koncerti. Më ka thirrur kryetari në zyrë dhe më ka thënë: Bujar më vjen keq por nuk kemi dëshirë që të kemi përplasje arti dhe sporti. Nuk kemi dëshirë që njerëzit të mendojnë keq për koncertin.
Vendimi që koncerti të mbahej para Bashkisë u mor pas kërkesës së "KF Vllaznia". Drejtuesit e klubit pretendonin se zhvillimi i koncerteve në stadium shtonte mundësinë që të anulonte aktivitetet sportive të ardhshme. Por jo vetëm kaq. Sipas tyre, mund të sillte pasoja më të rënda për klubin, siç ishte moslicensimi nga UEFA për të zhvilluar ndeshjet evropiane të klubit të futbollit. Kështu, pas disa ditëve replika mes drejtësve dhe Becit, ky i fundit ka vendosur që të bëjë hapa pas dhe të zhvendosë koncertin recital të Bujar Qamilit./ZËRI