
TIRANË- Pas skandalit që ZËRI prej javësh po denoncon me produktet e skaduara që shiten në rrjetin e marketeve në Shqipëri. Por duke se shumë shpejt, qytetarët shqiptarë do të kenë një mundësi më shumë për të zgjedhur. Rrjeti gjigand i supermarketeve, Lidl, po planifikon të hyjë në Shqipëri. Lajmi është bërë publik nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
“Një hap i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pritet të marrë jetë së shpejti. Bëhet fjalë për Brandin ndërkombëtar Lidl, rrjetin më të madh të supermarketeve gjermane, të njohur në mbarë botën, i cili ka shprehur interes për Shqipërinë. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës (APD), po asiston prej shumë kohësh, kompaninë gjigande të shitjes me pakicë, Lidl, në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri,”- thuhet në njoftimin e AIDA-s.
Lidl është një zinxhir ndërkombëtar gjerman i shitjeve me pakicë me zbritje, me mbi 12,000 dyqane, të pranishme në çdo shtet anëtar të Bashkimit Evropian, Serbi, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Aktualisht Lidl numëron mbi 376 mijë të punësuar në të gjithë botën dhe vitin e kaluar realizoi një xhiro prej 125.5 miliardë dollarësh. Ende nuk ka një datë të caktuar, apo një vend se ku po planifikohet të ngrihet 'selia' e re e Lidl në Shqipëri, por sërish është lajm i mirë për tregun vendas që po dominohet nga një rrjet marketesh.
Këta të fundit, veçse abuzojnë me çmimet, nuk ofrojnë më as cilësinë e produkteve që tregëtojnë, duke rrezikuar në jo pak raste jetën e konsumatorëve./ZËRI