
TIRANË- Reperi i njohur Drake ka marrë gjithë vëmendjen e shqiptarëve pasi ka publikuar videoklipin e këngës së tij të re “Polar Opposites”, ku shfaqet i veshur me një xhaketë të kuqe, që ka të qëndisur mbrapa shqiponjën e zezë dykrenare. I gjithë videoklipi i këngës së reperit përmban referenca për kulturën shqiptare.
Ndërsa në vargje flitet edhe për propagandën, tensione edhe kryeqytetin e Kosovës, ajo që ka zgjuar kureshtjen është vajza të cilës Drake i këndon. Teksa në videoklip luan poker e shfaqet pranë tryezave të bilardos, reperi këndon për një vajzë të quajtur Mariana me të cilën ka patur një marrëdhënie romantike. Mariana, vetë nga emri dyshohet të jetë një shqiptare, e cila ka bllokuar Drake në të gjitha rrjetet sociale.
"Bipolare e papjekur. Mariana më theve besimin...Nuk e di se si i bëjnë gjërat në Prishtinë, thjesht di që tensioni po rritet”.-thuhet në vargjet e këngës.
Në rrjet qarkullojnë disa opsione për identitetin e Marianës, por ende nuk ka asnjë të sigurt. Duke iu referuar vargjeve disa aludojnë se Mariana është nga Prishtina, e disa të tjerë besojnë se Mariana është shqiptare dhe jeton në Tiranë.
Gjithsesi lidhja e Drake me Shqipërinë mbetet e paqartë, por një arsye mund të jetë edhe fakti që një nga tekstshkruesit e albumit të tij të fundit është shqiptari Gent Memishi. Videoklipi mbyllet përsëri me një shqiponjë që fluturon sipër detit.