
ITALI- “Kur mbërrita në Tiranë, Federata Shqiptare më tregoi një bazë të dhënash gjigante. Është një shërbim i jashtëzakonshëm, pa të nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin”, këto janë fjalët e Sylvinhos për Reuters disa javë më parë. Ai i referohet softuerit të krijuar nga Alarico Rossi, një analist italian i futbollit, i cili mbërriti në Shqipëri me Panuccin në vitin 2017, por më pas qëndroi atje për të revolucionarizuar mënyrën e përzgjedhjes së lojtarëve. “Kur mbërrita, më shikonin si alien, nuk kishin parë kurrë metodologjitë e mia”, tha ai.
Risia e Alarico Rossit
Rossi tregon si nisi puna me databazën e talenteve. “Vura re një boshllëk në sektorin tim dhe i propozova idenë time Presidentit të Federatës Shqiptare Armand Duka, i thashë që të krijoj një bazë të dhënash të të gjithë futbollistëve shqiptarë në botë, të ndarë sipas rolit dhe karakteristikave, me qëllim që talentet të mund të thirreshin më lehtë për të ardhur e për të luajtur me Shqipërinë.
Në Shqipëri ka 3 milionë shqiptarë, por duke shtuar ata që gjenden kudo në botë, mund të jenë rreth dhjetë milionë. Për të mos folur për popullsinë etnike shqiptare, por me pasaporta të ndryshme. Pjesa më e vështirë është të përcaktohet nëse një lojtar mund të thirret apo jo sipas rregullave të FIFA-s. Më pas vjen pjesa tekniko-taktike”, tha Rossi.
Rasti Asani
Një rast i veçantë është Jasir Asani, futbollisti i intervistuar nga Cronache, njeriu i momentit në Shqipëri. “Asani është një shembull i përsosur për të shpjeguar të gjithë procesin. Ai ka lindur në Shkup, Maqedonia e Veriut, por është shqiptar etnik. Ai nuk kishte luajtur asnjëherë për asnjërën nga dy kombëtaret kryesore, as për Shqipërinë dhe as për Maqedoninë e Veriut, ndaj mund të thirrej. Kur e futa në database, luante për Partizanin e Tiranës. Në atë kohë, megjithatë, kampionati vendor nuk konsiderohej mjaft konkurrues për të justifikuar një thirrje. Me Rejën atëherë luajtëm me 3-5-2, të papajtueshme me rolin e Asanit, që është një anësor sulmues.
Ndërkohë Asani shkoi të luante fillimisht në Hungari, më pas në Korenë e Jugut. Në gjithë këto vite kam vazhduar ta ndjek falë databazës sime, edhe në kampionate kaq të izoluara. Ardhja e Sylvinhos krijoi kushtet taktike ideale që thirrja e Asanit, një anësor i djathtë, të konkretizohej më në fund”, tha Rossi.
Metodologjia, konsistenca, puna dhe rezultatet shpërblejnë Rossin dhe të gjithë stafin e tij. Po, sepse në 5 paraqitjet e para me fanellën e kombëtares, Asani realizoi 3 gola dhe dha 2 asistime. Falë edhe punës së Alarico Rossit, Shqipëria u kualifikua në Euro 2024. Pas De Biasit, një tjetër italian gëzoi mbarë popullin shqiptar./Zëri.ai/