
ITALI – Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho ka dhënë një intervistë për median italiane “Cronache di Spogliatoio”. Në këtë intervistë, trajneri kuq e zi foli për mikpritjen e shqiptarëve, mbështetjen e madhe të tifozërisë, çfarë kishte dëgjuar për Shqipërinë përpara se ta drejtonte dhe synimin e tij për të kualifikuar Kombëtaren kuq e zi në Botëror.
Ngjashmëria mes Brazilit dhe Shqipërisë
Sylvinho në këtë intervistë shprehet se e kanë pritur mjaft mirë në Shqipëri. Ai shprehet se shqiptarët i dhanë atij çaj dhe darka, duke e bërë të ndihet si në shtëpi. “Shqiptarët janë të ngjashëm me ne brazilianët. Ata janë të qeshur, të gëzuar, plot me energji, ngjasojnë me ne. U treguan shumë mikpritës me mua, më dhanë çaj dhe më shtruan darkë. E vlerësoj shumë këtë gjë”, tha Sylvinho.
Këshilla për Kristjan Asllanin
Pasi tregoi se shumë futbollistë të Shqipërisë luajnë në Seria A, Sylvinho kishte edhe disa këshilla për futbollistin shqiptar, që luan për Interin, Kristjan Asllanin. “Futbolli është kompleks. Sa më shumë të nisësh të njohësh teknikat, aq më i lehtë bëhet. Seria A është shkolla më e mirë e futbollit dhe jam i lumtur që shumë lojtarë të Kombëtares së Shqipërisë aktivizohen në kampionatin italian. Sa i përket Kristjan Asllanit, ai ka bërë paraqitje të mira për ne, por unë do i thosha të qëndrojë tek Inter dhe të punojë fort, pasi larg mund të arrijë duke punuar shumë”, tha ai.
‘Nuk dija shumë për Shqipërinë’
Ish-asistenti i Roberto Mancinit zbuloi gjithashtu se i vetmi kontakt që kishte me Shqipërinë përpara se të fillonte aventurën e tij ishte një ish-lojtar i Interit, Rey Manaj: "Për Shqipërinë nuk dija shumë, njihja vetëm Rey Manajn, të cilin e kam trajnuar te Interi. Nuk dija asgjë më shumë. Më pas arrita atje dhe pashë që të gjithë njerëzit flasin italisht, flasin anglisht, spanjisht. Është e rëndësishme që një trajner të flasë pa përkthyes”, deklaroi trajneri i Kombëtares.
Shqipëria të bëjë normalitet kualifikimet në Europian dhe Botëror
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho theksoi se asgjë nuk ka mbaruar me kualifikimin e Shqipërisë në Europian. Ai shtoi se Shqipëria duhet të krijojë mentalitet në futboll dhe më pas të jetë një normalitet kualifikimi për në Europian apo Botëror. “Unë nuk dua që Shqipëria të jetë në Europian dhe më pas të zhduket. Ajo që ka rëndësi është që ekipi të mund të krijojë mentalitet fituesi dhe të kthejë në normalitet kualifikimet në Europian dhe Botëror”, tha Sylvinho.
Shqipëria u kualifikua e para në grupin e saj për në Europianin e Gjermanisë, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë, të cilat fillimisht konsideroheshin favorite./Zëri.ai/