
BRITANI E MADHE- Kyle Walker është një nga titullarët e palëkundur të Pep Guardiolës, në skuadrën e Manchester City, për të cilin tashmë është bërë publik një skandal i jetës personale, ku ai kisht krijuar një ketë paralele.
Përtej futbollit, ai i është përkushtuar tani diçkaje më të rëndësishme; bashkimit të pjesëve të jetës private, pasi gruaja Annie zbuloi tradhtinë e tij dhe e la atë, ndërsa ishin në pritje të fëmijës së tyre të katërt (Walker kishte edhe dy fëmijë të tjerë nga e dashura e tij, Lauryn Goodman, me të cilën krijoi një familje të dytë paralele, duke arritur ta mbante atë të fshehur deri së fundi).
Futbollisti ka dhënë një intervistë për “The Sun”, në të cilën rrëfen tradhtinë dhe kërkon falje para gjithë Anglisë: "Ajo që bëra është e tmerrshme dhe marr përgjegjësinë e plotë. Kam bërë zgjedhje idioteske. Nuk mund ta mendoj apo imagjinoj se çfarë po kalon Annie.
Jam përpjekur ta pyes, por ka dhimbje dhe vuajtje. Burri që supozohet ta dojë, të kujdeset për të dhe të jetë aty për të, e bëri këtë. Ka pasur ditë që thjesht doja të flija. I vetmi fajtor jam unë, kam role dhe përgjegjësi për të cilat jam i vetëdijshëm.
Kam bërë zgjedhje budallaqe, duhet t’i pranoj gabimet e mia. Iu kërkoj falje të gjithëve. Veprimet e mia kanë shkaktuar shumë dhimbje për mjaft njerëz. Më vjen keq sepse si familje, kjo nuk është menduar të na ndodhte".
Walker, i cili u martua me Annie në fillim të vitit 2022, pasi lidhja e tyre kishte vazhduar për një dekadë, shpjegoi se po fliste për hir të familjes së tij: “Unë jam një burrë privat, por pranoj të jem personazh publik dhe duhet të ballafaqohem me atë që bëra.
Nuk më ndihmoi që kjo u shfaq në media. Zgjodha të flas tani me shpresën se të paktën mund të shpjegoj veten dhe t’i lejoj gruas e fëmijëve të mi të kenë privatësinë, që ata kanë nevojë dhe e meritojnë.
Kur takova Annie në moshën 17-vjeçare, kurrë nuk e imagjinoja që jeta ime private do të ishte e tillë, – vazhdoi futbollisti i lindur në Sheffield, – kurrë nuk e kisha menduar se do të bëhesha baba i 6 fëmijëve. Kam arritur në futboll më shumë sesa do të kisha arritur ndonjëherë në çdo profesion tjetër.
Si mund ta lëndoja dikë që dua kaq shumë? Është diçka që duhet ta gjej në veten time. Më duhet të zbuloj pse e bëra këtë dhe pse ndodhën situatat. Unë jam njeri dhe kam bërë gabime brenda e jashtë fushës.
Gabimet jashtë fushës janë sigurisht më të dëmshëm dhe më kanë lënduar më shumë. Futbolli ka qenë jeta ime që kur isha 6 vjeç, por familja ime është para çdo gjëje në këtë planet. Për momentin ata po vuajnë jashtëzakonisht".
Situata shpërtheu pas lindjes së fëmijës së dytë me të dashurën, vitin e kaluar. Në atë moment, gruaja e tij, e cila tashmë e kishte falur disa herë, e nxori jashtë shtëpisë dhe vendosi të divorcohej. Tani Ëalker jeton i vetëm me qira dhe ka pranuar faktin që martesa e tij ka përfunduar:
"Unë marr përgjegjësinë e plotë për zgjedhjet që kam bërë, të cilat kanë lënduar njerëzit e tjerë. Askush nuk më vuri armën në kokë dhe më tha se duhej t’i bëja këto gjëra. E bëra me vullnetin tim të lirë dhe nuk do të fajësoj asgjë apo askënd tjetër në këtë situatë. Isha unë që e bëra, unë dhe Lauryn. Ne të dy e bëmë.
Nëse mund të kthehesha pas do të sillesha krejt ndryshe. Është plotësisht faji im ajo që kam bërë, por fëmijët janë të pafajshëm në gjithë këtë dhe kjo duhet të jetë në krye të mendjeve të të gjithëve. Nuk e di se çfarë më pret në të ardhmen, por familja dhe fëmijët e mi kanë duruar mjaftueshëm. Gjithçka ndodhi për fajin tim".
/ZËRI