Qytetërim

Elon Musk fut mikroçipin e parë në trurin e një njeriu

Mikroçipi i Neuralink quhet Telepati.

k.m.
Elon Musk fut mikroçipin e parë në trurin e një njeriu
Elon Musk

SHBA- Multimilioneri Elon Musk njoftoi implantimin e parë të suksesshëm të një mikroçipi në trurin e njeriut nga kompania e tij "Neuralink". Në një postim në X (ish-Twitter), ai tha se operacioni u zhvillua të hënën dhe se pacienti po e merr veten shumë mirë.

Musk zbuloi gjithashtu se mikroçipi i parë i Neuralink quhet 'Telepathy' dhe do të lejojë "kontrollin e telefonit ose kompjuterit tuaj, dhe përmes tyre pothuajse çdo pajisje, vetëm me një mendim". 

“Imagjinoni sikur Stephen Hawking të mund të komunikonte më shpejt se një daktilografist apo një drejtues ankandi. Ky është qëllimi ynë,”- theksoi ai.

Neuralink filloi të rekrutojë pacientë për provën e saj të parë klinike vjeshtën e kaluar, pasi mori dritën jeshile nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA. Në atë kohë Neuralink raportoi se njerëzit që kanë kuadriplegji për shkak të dëmtimit të shtyllës kurrizore ose sklerozës anësore amiotrofike (ALS) do të ishin personat e parë që do merreshin në studim. Detajet rreth pacientit nuk janë publikuar ende, por autori Ashley Vance, i cili shkroi biografinë e vitit 2015 Elon Musk: Tesla, SpaceX dhe kërkimi për një të ardhme fantastike, tha në një raport të Bloomberg se një kandidat ideal për provën e parë njerëzore të Neuralink ishte "një i rritur nën 40 vjeç, katër gjymtyrët e të cilit ishin të paralizuar."

Gjithashtu, Vance shpjegoi se duhenshin vetëm "disa orë" që një kirurg të kryente një kraniotomi dhe 25 minuta të tjera që një robot të fuste çipin në zonën e duhur të trurit. Musk nuk ndau asnjë detaj tjetër rreth procesit, por tha se rezultatet fillestare duken shumë inkurajuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB