
TIRANË- Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, po mban një konferencë për mediat në prag të sfidave të Nations League, që luhen në shtator, kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Gjatë kësaj konference, ai u pyet në lidhje me kërcënimin që u bë ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, nga kreu i klubit “Iliria”, Nazmi Selmani.
Sylvinho tha se ai nuk ka shumë informacione rreth kësaj situate, por e rëndësishme për të është fakti se tashmë u zgjidh.
“Unë kam ardhur në Tiranë para 1 ditë e gjysmë, më kanë treguar dhe kam diskutuar, por nuk di shumë, nuk kam shumë informacione. Për mua është e rëndësishme që situata është zgjidhur, kaq mund të them”, tha Sylvinho.
Kreu i klubit “Iliria” të Fushë Krujës, Nazmi Selmani, është vënë në pranga bashkë me djemtë e tij dhe një tjetër person pasi akuzohen se kanë kërcënuar Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Konflikti mes tyre ka ardhur pasi Selmani ka kërkuar që Duka t’i fus një nga djemtë në kombëtare. Bëhet fjalë për Gentian Selmanin, që aktualisht është i angazhuar si portier në ekipin e Tiranës. /ZËRI