
TIRANË- Këngëtarja Irini Qirjako foli për videot e publikuara në rrjet për këngëtaren Parashqevi Simakum ku u shpreh se nuk duhet të ishin bërë publike. Në një intervistë për emisionin “Studio Live”, Qirjako tha se këngëtarja duhet të ndihmohet, teksa rikujtoi dhe kohën kur ato takoheshin së bashku.
“Ne takoheshim në Teatrin e Operas dhe Baletit. Vinte aty për të bërë prova. Ajo ishte një këngëtare e jashtëzakonshme. Ajo iku në Amerikë dhe s’u takuam më. Por kur ikëm me Asamblinë në Amerikë dhe donim ta takonim, se takuam dot. Ajo që atëherë kishte disa vështirësi të mëdha, por s’di më shumë detaje. Nuk është mirë që të shfaqen në publik ato imazhe në sytë e publikut që e do kaq shumë. Shteti jonë duhet që të ndërhyjë për këtë artiste të madhe”, tha ajo.
Qirjako tha se u trondit kur pa për herë të parë videot e publikuara në rrjet dhe u përlot, pasi njiheshin prej kohësh.
“Kur e pash për herë të parë u trondita pa masë, më rridhnin vet lotët, sepse atë e kam njohur nga afër në koncerte që bëheshin ku unë isha soliste tek asambli i këngëve dhe valleve. Ajo është një këngëtare shumë e talentuar, ajo ishte skenike dhe një vokal që ja kishte dhuruar zoti. Ajo bëri jehonë të madhe dhe hyri në zemrën e shqiptare. Kur pashë videot jemi shqetësuar dhe tronditur shumë, saqë një moment nuk doja ta besoja. Më thotë burri mbase s’është ajo. Isha në një gjendje të keqe. Shteti nuk interesohet fare për këta artistë të mëdhenj kudo janë në botë. Është një thirrje që i bëjë instancave shtetërore për artistët që kanë pasur emër të madhe se s’dihet se ku kanë përfunduar”, tha ajo. /ZËRI