
ZVICËR - Miku i ngushtë i Michael Schumacherit, Jean Todt, tregon mbi gjendjen e kampionit të Formula 1, dhjetë vjet pas aksidentit të tmerrshëm të tij me ski. "Ai thjesht nuk është Michael që ka qenë", shprehet Todt. Ish-shefi i Ferrarit dhe FIA-s, Jean Todt, ka dhënë detaje mbi shëndetin e ish-kolegut dhe mikut të tij të ngushtë Michael Schumacher. Schumacher - i cili fitoi shtatë tituj kampion bote në F1 - u përfshi në një aksident tragjik në ski në dhjetor 2013, që e la atë në koma.
Që atëherë ai nuk është shfaqur më publikisht dhe më 29 dhjetor është dhjetëvjetori i aksidentit. Për gjermanin kujdeset një ekip i stafit mjekësor dhe gruaja e tij Corinna në shtëpinë e tyre në Liqenin e Gjenevës, por pak dihet sesi është gjendja e tij. Tani Todt - i cili ishte drejtori i ekipit të Ferrarit kur Schumacher fitoi pesë tituj radhazi botëror midis 2000 dhe 2004, përpara se të shërbente si CEO i saj deri në vitin 2008 - dha një pasqyrë të rrallë sesi është gjendja e Schumacher.
“Michael është këtu, kështu që nuk më mungon”, tha Todt për L'Equipe. "(Por ai) thjesht nuk është Michael që ka qenë. Ai është i ndryshëm dhe gruaja e fëmijët e tij po kujdesen për të. Jeta e tij është ndryshe tani dhe unë kam privilegjin të ndaj momente me të. Kjo është e gjitha që mund të them”, ka shtuar ai.
Fatkeqësisht, fati i keq e goditi kampionin dhjetë vjet më parë. Ai nuk është më Michael që e njihnim në Formula 1.' Schumacher është një nga pilotët më të suksesshëm të F1 të të gjitha kohërave, pasi ka fituar titullin botëror në 1994, 1995, 2000, 2001, 2002, 2003 dhe 2004. Ai ishte 155 herë në podium gjatë gjithë karrierës.
Familja është pranë tij dhe janë treguar disi hermetikë, teksa edhe miqtë nuk janë në dijeni për gjendjen e pilotit. Në dokumentarin e Netflix, u zbuluan detaje nga gjendja shëndetësore e Schumacher. U zbulua se ai vazhdoi t'i nënshtrohej rehabilitimit. Adhuruesve të tij do t'u ofrohet një vështrim i rrallë për jetën e legjendës së F1 këtë muaj, me një dokumentar të ri me pesë pjesë nga transmetuesi gjerman ARD, i cili do të transmetohet më 28 dhjetor, në 10-vjetorin e aksidentit të tmerrshëm me ski./ZËRI/