
ZVICËR - Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje vendeve që të ndërmarrin veprime urgjente, për të parandaluar fenomenin, që fëmijët të bëhen të varur nga cigaret elektronike. "Ka një rritje alarmante në përdorimin e cigareve elektronike midis fëmijëve dhe të rinjve me norma që tejkalojnë përdorimin e të rriturve në shumë vende", tha Dr Ruediger Krech, drejtor i OBSH-së për Promovimin e Shëndetit.
Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve raportojnë se që nga 31 Mars 2023, 50 shtete të SHBA kishin miratuar legjislacionin, që ndalonte shitjen e cigareve elektronike për të miturit. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë beson se vendet mund të shkojnë edhe më tej për të parandaluar pirjen e cigareve elektronike nga ana e fëmijëve. Organizata thotë se vende si SHBA duhet të ndalojnë të gjitha shijet e e-cigareve, të kufizojnë përqendrimin e cilësinë e nikotinës dhe të tatojnë produktet, për të dekurajuar përdorimin.
CDC vëren se aerosolet e cigareve elektronike që njerëzit thithin dhe nxjerrin mund të përmbajnë substanca potencialisht të dëmshme, duke përfshirë kimikatet, që shkaktojnë kancer. OBSH u bën thirrje vendeve që të ndalojnë cigaret elektronike me aromë, për të mbrojtur fëmijët.
Ndërsa shumë duhanpirës përdorin cigaret elektronike si një metodë për të ndaluar pirjen e cigareve tradicionale, CDC thotë se kjo nuk është një metodë e sigurt. Në fakt, agjencia thotë se një studim tregoi se shumë të rritur që përdornin cigare elektronike në përpjekje për të lënë duhanin, përfunduan duke përdorur të dyja produktet./ZËRI/