
HOLLYWOOD- Këngëtarja Selena Gomez gjatë një interviste tha se ajo nuk mund të bëhet nënë. Ajo tha se për shkak të problemeve shëndetësore shtatzënia do të rrezikonte jetën e saj dhe të foshnjës.
“Fatkeqësisht... kam shumë probleme mjekësore që do të rrezikonin jetën time dhe jetën e foshnjës. Ky lajm ende më bën të vuaj”, tha Gomez për Vanity Fair.
Gomez, e cila u diagnostikua me lupus në 2013 dhe iu nënshtrua transplantit të veshkave në 2017, tha se pavarësisht spekulimeve nëse ajo mund të bëhej nënë ose jo, kjo është hera e parë që e pranon publikisht të vërtetën.
“Jeta ime nuk është ashtu siç e imagjinoja unë. Mendova se një ditë unë do të isha nënë dhe do të kujdesesha për fëmijën tim”, u shpreh këngëtarja.
Megjithatë, ylli i "Only Murders in the Building" tha se tashmë ajo ndihet më mirë dhe e ka pranuar këtë fakt. Ajo shtoi se njerëzit që e rrethojnë atë, i kanë dhënë kurajo dhe gjithashtu ajo mendon të ketë fëmijë nëpërmjet një nënë surrogate ose birësimit.
"Tashmë jam më mirë. Jam e bekuar që kam njerëz të mrekullueshëm që janë të gatshëm të ndihmojnë nëpërmjet një nëne surrogate apo birësimi, të cilat të dyja janë mundësi të mëdha për mua. Më pëlqen kur dëgjoj që ka shumë vajza që dëshirojnë të bëhen nëna. Unë jam një prej tyre. Jam e emocionuar për faktin se një ditë dhe unë do të jem. Në fund të ditës nuk më intereson nëse do ta birësoj apo do të kërkoj një nënë surrogate, unë do ta dua njëlloj. Do të jetë fëmija im”, tha aktorja.

Selena Gomez është në një lidhje me këngëtarin dhe producentin Benny Blanco që nga korriku i vitit 2023. Të dy publikojnë shpesh momente romantike dhe tregojnë mbështetjen për njëri-tjetrin. /ZËRI