Qytetërim

Ish-punonjësit akuzojnë influenceren Matilda Djerf: Na detyronte të pastronim tualetet, na ofendonte për peshën

"Guru" dhe sipërmarrësja 27-vjeçare e modës kërkoi falje.

k.m.
Ish-punonjësit akuzojnë influenceren Matilda Djerf: Na detyronte
Matilda Djerf

SUEDI- Influencerja suedeze Matilda Djerf po përballet me ankesa pasi punonjësit e saj pretendojnë se ajo i trajtonte tmerrësisht, madje dhe i detyronte të pastronin tualetet. Guruja dhe sipërmarrësja 27-vjeçare e modës themeloi markën e veshjeve Djerf Avenue me partnerin e saj, Rasmus Johansson, në vitin 2019, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë si parimet e saj thelbësore.

Vlera e kompanisë në vetëm 4 vjet kapi 35 milionë dollarë dhe bëri bujë në TikTok, kryesisht tek gratë e "Gen Z" që donin të imitonin estetikën e "vajzës së pastër", por edhe stilin e jetës së gruas së re. Marka, sipas faqes së saj të internetit, promovon një botë "plot mirësi, frymëzim, respekt dhe veshje perfekte". Por mendësia e themelueses së saj, mund të mos pasqyrojë këto ide. Të paktën këtë pretendojnë 11 punonjës aktualë dhe ish-punonjës, të cilët e raportuan atë në gazetën "Aftonbladet" për bullizëm në vendin e punës dhe komente nënçmuese.

Djerf, e cila në vitin 2023 u shfaq në listën e 'Forbes 30 Under 30' të sipërmarrësve me ndikim nën moshën 30 vjeç, u akuzua se "i bëri punonjësit të qajnë rregullisht" me sjelljen e saj, qoftë duke i bërtitur ose duke i nënçmuar. E reja iu përgjigj akuzave përmes Instagramit.

“Kur fillova Djerf Avenue, nuk e prisja kurrë që kompania do të bëhej kjo që është sot, me kaq shumë punonjës dhe kaq shumë përgjegjësi. Nuk isha gati. Unë kurrë nuk kisha drejtuar një ekip më parë, nuk kisha ndërtuar kurrë kompaninë time më parë. Nuk arrita tw isha liderja dhe kolegia qw do tw doja tw isha,"- tha e reja.

Djerf shtoi se ajo tashmë ka bërë ndryshime të rëndësishme për të përmirësuar kulturën e punës në kompaninë e saj. Këto përfshijnë punësimin e një ekipi me përvojë për të drejtuar kompaninë dhe kryerjen e "anketave anonime" në baza mujore, në mënyrë që punonjësit të mund të shprehin lirisht çdo ankesë që mund të kenë.

Megjithatë, siç thekson Daily Mail, e reja shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj shumë akuzave të bëra nga punonjësit. Për shembull, ajo nuk preku akuzat për "terror psikologjik" që u shkaktoi punonjësve. Ish-punonjësit e kishin akuzuar gjithashtu gruan se fliste në mënyrë nënçmuese për modelet plus-size që punonin për markën e saj.

"Kur pa fotot e një vajze, tha se duhej t'i ribënim sepse ajo dukej shumë e shëndoshë me ato rroba,"- u ankua një ish-punonjës.

Një tjetër ankesë thoshte se influencuesja kishte një tualet të veçantë për kolegët e saj "të dashur" dhe se ata që shkonin atje pa lejen e saj ishin të detyruar ta pastronin si ndëshkim. Kërkimi i faljes së Matildës nuk u pëlqeu shumë ndjekësve të saj, siç u duk edhe në pjesën e komenteve poshtë postimit të saj. 

Disa madje kanë sugjeruar që ajo të ulë çmimet e produkteve të saj si një falje 'de facto'. Megjithatë, ka edhe një pjesë të fansave të Djerf-it që ende e mbështesin atë, duke e cilësuar atë që po raportohet si “gënjeshtra” dhe “ekzagjerime”./ZËRI

Poll

MOS HUMB