
ITALI- Interi po korr frytet e suksesit të vet sportiv: pas arritjes së finales së dytë të Ligës së Kampionëve brenda tre vitesh, klubi ka arkëtuar plot 132 milionë euro nga UEFA, shifër që mund të rritet deri në 150 milionë nëse fiton në Mynih. Këtyre të ardhurave u shtohen dhe fitimet nga biletat (rekord me 14.7 milionë kundër Barcelonës), të drejtat televizive dhe premiot nga kampionati e Kupat, duke siguruar një bilanc të fortë financiar.
Ky fond i krijuar mund të investohet në merkaton e vitit të ardhshëm. “Gazzetta Dello Sport” ka nisur menjëherë me përmbledhjen e objektivave zikaltër.
Sipas tyre, drejtuesit zikaltër kanë nisur lëvizjet për sezonin e ardhshëm, duke nënshkruar me Suçiç. Ata po punojnë për afrimin e Luis Henrikes, ku kanë mbetur në një distance prej vetëm 5 milionë euro mes kërkesës dhe ofertës me Marsejën. Synimi interist është edhe një sulmues – ku emrat janë argjentinasi Niko Paz dhe/ose Raspadori – si dhe një mbrojtës i ri, me De Uinterin që ka fituar pikë, krahas emrave si Solet, Beukema e Lukumi.
Ndërkohë që Asllani pritet të largohet, Interi po shikon për një tjetër mesfushor: Samuele Riçin e Torinos dhe Frendrupin e Xhenoas. Me stabilitetin financiar të garantuar nga “Oaktree” dhe të ardhurat rekord, zikaltërit janë gati ta përforcojnë më tej skuadrën e tyre, sido të shkojë fati i finales së Mynihut apo tangoja e kampionatit me Napolin./ZËRI