
ITALI- Një dorë gati magjike u vu dje në veprim: Interi me pavëmendjen ndaj Bolonjës, komplikoi kampionatin e vetë, por e zbukuroi në tërësi garën e futbollit Italian.
Pesë javë nga fundi ka pikë të barabarta me Napolin. Aq interesante është bërë situata sa ekspertët e futbollit, ata që lexojnë me imtësi edhe rregulloret e kampionateve, i shpluhurosën ato dhe nisë ushtrimet intelektuale. Po sikur kampionati të përfundojë kështu, me pike të barabarta? Si zgjidhet?
Përgjigjen e shteronte dje “Corriere dello Sport”: “Nëse Interi dhe Napoli do ta mbyllnin kampionatin të barabarta në krye të renditjes, rregullorja parashikon një ndeshje shtesë për t’u luajtur në fushën e njërës prej dy skuadrave. Kriteri për të përcaktuar se cila nga dy skuadrat duhet të presë finalen për titull lidhet me përballjet direkte”
Mirëpo situate e dy skuadrave kryesuese bëhet edhe më interesante sepse të dyja ndeshjet mes Napolit dhe Interit kanë përfunduar në barazim, me të njëjtin rezultat, 1-1. Çfarë parasheh rregullorja e kampionatit Italian?
Në këtë rast, për të zgjidhur se në cilën fushë do të zhvillohej ndeshja, do të duhej të merren parasysh faktorë të tjerë: diferenca e golave në përballjet direkte (në barazi), diferenca e golave në të gjithë kampionatin (avantazh i Interit), golat e shënuar në të gjithë kampionatin (avantazh i Interit) dhe, në fund, në rast teorik, shorti.
Nëse kampionati do të mbyllej sot, “finalja” Inter-Napoli do të luhej në Milano. Nëse autoritetet përkatëse do të kishin kundërshtime për arsye të rendit publik, sipas rregullores, ndeshja shtesë do të zhvillohej në fushë neutrale, në kryeqytet.
Ky nen i “shpluhurosur”, ka vetëm një precedent dhe Interit nuk i solli fat: në vitin 1964, kur Bolonja e drejtuar nga Fulvio Bernardini fitoi në “Olimpiko” të Romës me rezultatin 2-0 ndaj Interit të Helenio Herreras./ZËRI