
GJERMANI- Interi dje shkroi një faqe të artë në historinë e vetë evropiane. Bluzinjtë fituan 1-2 ndaj Bajernit të Mynihut në "Allianz Arena". Kjo ngjante për herë të parë pas katër vitesh dhe 22 ndeshjesh si skuadër e pamposhtur në ndeshjet e Ligës së Kampioneve.
Skuadra e Simone Inzagit tregoi karakter, kurajë, aftësi rezistence dhe përballimi të presionit. Me këtë fitore, Interi i tij hodhi një hap drejt gjysmëfinales, edhe pse gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit më 16 prill në "Meaca, që me siguri do të jetë elektrizues pas sinjalit triumfator që djemtë e Inzagit dhanë.
Trajneri i Bajerni, Vinsent Kompanija, surprizoi me zgjedhjet eksperimentale në formacion, ai provoi mbrojtësin Rafael Guerreiro në pozitën e Musialas së dëmtuar, duke dashur ta vendosë në kurth taktik Interin, por pa ia dalë. Interi nga ana e tij u paraqit pa dy lojtarët e krahut, Damfries dhe Dimarko.
Gjermanët e nisën më të vendosur, me Olisenë dhe Kejnin që rrezikuan e kërkuan me këmbëngulje të dukeshin te porta interiste. Portieri zviceran i Interit dje ishte vlera e shtuar e skuadrës, Someri diti të qetësonte çdo agresivitet të kundërshtarëve duke u dhënë shumë qetësi dhe vendosmëri të tijve. Ai e shpëtoi disa herë portën.
Me kalimin e minutave djemtë e Inzagit e tejkaluan këmbënguljen bavareze dhe u futën në lojë. Lautaroja, shënoi të dhjetin në dhjetë ndeshje të Ligës së Kampioneve. Me shiritin e kapitenit në krahë u soll si lider. Zgjidhi një ndeshje kur dukej se po koklavitej në dëm të të vetëve, pas 38 minutave lojë.
Në pjesën e dytë Interi tregoi personalitet, menaxhoi presionin, vuajti dhe njëherësh ndërtoi disa raste të tjera të rrezikshme, me binomin Turam dhe Lau.
Bajerni, me ndihmën e tifozëve barazoi në minutën 83’. Për ta shënoi Tomas Myleri. Shfryrja e frustrimit të tij pas golit ishte një emocion më vete. Sikur donte t'u tregonte drejtuesve bavarezë: "E shihni se kë po largoni?".
Gjermanët shtuan ritmin e lojës për të përmbysur rezultatin, por Interi nuk u thye. Jo vetëm që Someri ishte i pakalueshëm, por Inzagi hodhi kartën fituese, Fratezin, i cili shënoi të dytin nga një pozicion trupi gati të pabesueshëm.
Tripleta sot është një ëndërr. Mirëpo Interi ka hedhur një hap të atillë pa të cilin Tripleta nuk do të ishte as një ëndërr. Sot, teoria dhe shkëlqimi në fushë ndaj një kundërshtari si Bajerni, i japin të drejtë bluzinjve./ZËRI