Qytetërim

Incidenti në Kampionatin Evropian Botëror, Valiev: Më quajti tradhëtar të atdheut! Prizreni: Ishte një moment emocional

Valiev tha se Mamiashvili e quajti atë “tradhtar të atdheut”. Më tej, Valiev ka shpjeguar edhe hapat që ndërmori për ndryshimin e shtetësisë sportive.

I.F
Incidenti në Kampionatin Evropian Botëror, Valiev: Më quajti
Chermen Valiev

TIRANË- Rusi i natyralizuar shqiptar, Chermen Valiev ka folur për incidentin që ndodhi me kreun e Federatës Ruse të Mundjes, njëkohësisht edhe zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, gjatë dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian. Gjatë një interviste me televizionin rus “Match TV”, Valiev tha se Mamiashvili e quajti atë “tradhtar të atdheut”. Më tej, Valiev ka shpjeguar edhe hapat që ndërmori për ndryshimin e shtetësisë sportive.

“Kur u transferova për të luajtur për një vend tjetër, respektova të gjithë kuadrin e një transferimi ndërkombëtar, gjithçka ishte firmosur zyrtarisht. Kam paguar një tarifë prej pesë mijë eurosh për federatën ndërkombëtare dhe pesë mijë euro për Federatën Ruse të Mundjes. Mikhail më quajti tradhtar të atdheut. Isha konfuz… Unë iu afrova atij, por organizatorët më morën”, ka thënë Valiev për “Match TV”.

Incidenti ndodhi gjatë dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian, teksa po ndaheshin medaljet. Valievi ndryshoi shtetësinë ruse në shqiptare në qershor 2024. Në Lojërat Olimpike 2024 në Paris, ai fitoi një medalje bronzi, e cila ishte e para për Shqipërinë në një Olimpiadë.

Po ashtu, për këtë ka reaguar edhe Mamiashvili, një ish-mundës i Bashkimit Sovjetik me origjinë gjeorgjiane dhe i lindur në Ukrainë, por që ka zhvilluar karrierën e tij në Rusi.

“Kjo nuk është e vërtetë”, tha kreu i Federatës Ruse të Mundjes, kur u pyet nëse e kishte quajtur Valiev-in tradhetar të atdheut.

“Unë thashë se rruga që ai zgjodhi ishte rruga e një tradhtari. Që kur po largohej. Unë heshta, por nëse ai thotë kështu… Unë përcaktova rrugën që ai zgjodhi”, tha Mamiashvili për “Match TV”.

Ndërsa, presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni gjatë një interviste për “Top Channel” tha se Mamiashvili reagoi në një moment emocional. Sipas tij, kjo ndodhi pasi Valiev mposhti mundësin rus që nuk kishte pësuar asnjë humbje prej vitit 2018.

Ai u quajt tradhtar nga presidenti i federatës ruse të mundjes, i cili ushtroi edhe forcë mbi sportistin e Shqipërisë, ndërsa për ngjarjen reagoi KOKSH dhe federata jonë.

“Mamiashvili është një mik i Prizrenit dhe mik i Shqipërisë. Ai ishte një veprim emocional dhe nuk mendoj se duhet ekzagjeruar kaq shumë. Duhet të kuptoni që sportisti ynë mundi sportistin e tyre (rusëve) që nuk pësonte një humbje prej vitit 2018. Unë e mirëkuptoj gjendjen e tyre emocionale. Ne të sportit i lëmë incidentet në fushën e betejës dhe nuk i zgjasim më. Sigurisht që pas incidentit më kërkoi ndjesë dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me sportistin tonë”, tha presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni.

Çfarë ndodhi mes Valiev-it dhe Mamiashvili-t?

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka zbuluar skandalin, duke publikuar një video të incidentit të ndodhur në Bratisllavë mes Valiev-it dhe Mamiashvili-t.

“Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë. Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Evrope për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar. Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev-in, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë”, denoncoi KOKSH-it.

Rusi, i natyralizuar shqiptar, Chermen Valiev u shpall kampion i Evropës në mundje për peshat deri në 74 kilogramë. Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për mundësin, i cili garon për Shqipërinë, duke arritur një rezultat maksimal. Po ashtu, Valiev i dha vendit tonë një medalje bronzi në Lojërat Olimpike të Parisit. Valiev triumfoi në finale ndaj bashkëkombasit të tij, rusit Zaurbek Sidakov. Në gjysmëfinale, ai triumfoi 6-0 ndaj azerit Aghanazar Novruzov, ndërsa në çerekfinale kaloi 10-0 Ramazan Ramazanov. Edhe mundësi tjetër rus, por me origjinë çeçene, që përfaqëson Shqipërinë, Zelimhan Abakarov la gjurmë në Kampionatin Evropian të mundjes, duke rrëmbyer medaljen e bronzit./ZËRI

Poll

MOS HUMB