
TIRANË- Ikja e mjeshtrit të madh të poezisë dhe tekstshkruesit Jorgo Papingji ka lënë gjurmë të thella trishtimi te të gjithë artdashësit dhe plejada e artistëve me të cilët i ndjeri ka bashkëpunuar ndër vite. Homazhet në nder të tij do të zhvillohen më 23 mars në hollin e Radio Tiranës. Tekstshkruesi i mijëra këngëve të dashura për shqiptarët në Festivalin e Këngës ishte në shtruar prej disa ditësh te Trauma në gjendje të rënduar shëndetësore për të cilën ishin në dijeni vetëm të afërmit dhe familjarët e tij. Ikja e kompozitorit të mirënjohur është pritur me trishtim të thellë nga të gjithë artistët.
Gruaja e tij Tatjana Papingji shprehet se Jorgo e donte lirinë dhe iku i përmbushur. Jorgon e frymëzonte çdo gjë, thotë Tatjana, e ndërsa e përshkruan si baba të dashur e të përkushtuar.
“Një baba shumë i dashur, nuk përzihej fare, nuk thonte kurrë jo. Sidomos kohët e fundit që u sëmur, donte përkujdes. Të gjithë u përkushtuam, unë djali, sepse vajza është jashtë. Ajo është mjeke neurologë, por nuk e ndihmonte dot me telefon”, rrëfen Tatjana për Report TV.
Djali ishte pika e dobët e Jorgos. Ai i binte çdo ditë nga 2 orë fyellit për të atin.
"Jorgo ka bërë një jetë shumë të bukur, nuk ka pishman ndonjë gjë, që iku pa bërë gjë, i realizoi të gjitha, familje, fëmijët. Dobësi kishte edhe për djalin. Është flautist, çdo ditë 2 orë i binte flautit, ia bënim si terapi. dëgjonte në heshtje sidomos kohët e fundit. djali e ndihmonte të ngrihej, ia kemi bërë të gjitha, por ne deshëm të pavdekshëm", tha ajo.
Në emisionin "Jetë shqiptare" në RTSH, këngëtarja Aurela Gaçe ndau gjithshtu fjalë ngushëllimi për Papingjin, si edhe histori personale me të. Në vitin 2011, Gaçe do të rrëmbente çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën "Jetoj", shkruar nga i ndjeri Papingji.
"E merrja shpesh në telefon edhe për të biseduar kot. Më ankohej, thoshte 'kam ngelur vetëm tani', megjithëse ai kishte shumë shokë e miq. Veprat e tij flasin vetë dhe nuk është nevoja të them se si ishte Jorgoja. Unë jam me fat ashtu si çdo artist që ka arritur të këndojë vargjet e tij, të interpretojë, çdo kompozitor që ka mundur të ketë Jorgon në krah", tregon ajo.
Pjesë nga intervista:
"'E sa kam dëshirë të pres, kur ke se kë të presësh, ke një ëndërr ke një shpresë.' Vetëm me këtë varg, që Jorgo Papingji ka shkruar me muzikë të Adrian Hilës, i ka thënë të gjitha. Unë kam pasur fatin që Jorgoja më ka besuar qysh në fillimet e mia të këndoj vargje me peshë dhe t'i jem shumë mirënjohëse. 'Ku po shkon kjo botë, nuk e di asnjeri / nuk e di as unë, nuk e di as ti.' Këto nuk janë thjesht tekste, janë himne që Jorgoja i ka shkruar siç është ndier në atë moment me shpirtin e trazuar të poetit dhe sot e kësaj e dite mbeten hite. Jorgoja ka shkruar rreth katër mijë këngë, imagjinojeni! Vetëm për mua mund të ketë shkruar 20. Po për të tjerë sa ka lënë? Të flasësh për Jorgon nuk është aq e thjeshtë, sepse duhet të jesh në një moment pak më të qetë. Më trishtoi shumë. Me Jorgon flisja gjithmonë. Shkoja e takoja, mundohesha t'i merrja ndonjë gjë tjetër, se thosha 'sa të kem mundësi t'ia marr atë pjalmin që vetëm ai di ta shprehë'. Edhe kur nuk kishim gjë për të punuar bashkë e merrja në telefon, kur kisha ndonjë koncert e ftoja dhe vinte, ashtu siç ishte i pamundur, sepse ka qenë vërtet sëmurë këto kohë. Vetëm për t'i shprehur mirënjohjen, vetëm për t'i shprehur dashurinë, sepse është shumë e rëndësishme t'ia shprehësh dikujt dashurinë sa është këtu fizikisht. Për këtë ndihem mirë që të paktën nuk e kam lënë në harresë.
E merrja shpesh në telefon edhe për të biseduar kot. Më ankohej, thoshte 'kam ngelur vetëm tani', megjithëse ai kishte shumë shokë e miq. Veprat e tij flasin vetë dhe nuk është nevoja të them se si ishte Jorgoja. Unë jam me fat ashtu si çdo artist që ka arritur të këndojë vargjet e tij, të interpretojë, çdo kompozitor që ka mundur të ketë Jorgon në krah. Fat i madh që muzika jonë ka pasur një penë si e Jorgos, sepse këngët kanë tingëlluar edhe më bukur nga pena e tij gjeniale. Ndihem pak në faj që nuk ndodhem aty për t'i dhënë lamtumirën e fundit, siç ai meriton me prezencën tonë, por unë e di që ai e ka marrë dashurinë nga unë sa ishte fizikisht këtu," u shpreh Gaçe për "Jetë shqiptare" me një videomesazh.
-
Arti në zi! Ndërron jetë kompozitori Jorgo Papingji
21 Mars, 18:48
Jeta dhe veprat e Jorgo Papingjit
Kompozitori është një nga më të njohurit në vend falë perlave që i ka falur muzikës shqiptare. Ai lindi në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942 dhe shumë herët, që në fillore nisi që të hidhte në fletore vargjet e para. Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi, por më pasi ishte bashkëpunimi i parë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala, shtysa që e ngriti drejt majës. Të dy publikuan këngën: A ta fshij apo ta gris?; ishte një këngë për fëmijë, që i dha emër dhe mundësi për të shkuar të tjera vargje që edhe sot e kësaj dite janë në mendjen e të gjithëve.
Jorgo Papingi mban titullin “Mjeshtri i Madh” dhe numëron mbi 4000 këngë të shkuara prej tij. Shumë prej krijimeve të tij janë interpretuar në Festivalin i Këngës në RTSH, ku duket se artisten e tij të preferuar ka pasur të ndjerën Anita Bitri, për të cilën ka kompozuar disa këngë. Por nuk mungojnë as bashkëpunimet me emra të tjerë si Ardit Gjebrea, Aurela Gaçe dhe Luan Zhegu. Madje, "Zemërimi i një natë", e çoi atë për herë të parë në skenën e Eurovizionit, me interpretimin e këngëtares Hersiana Matmuja./ZËRI