
TIRANË-Ilir Daja erdhi te Dinamoja kur skuadra kishte humbur ndaj Egantias 2-0 dhe Bylisit 2-1 në javën e parë të kampionatit. Në ato ndeshje skuadra drejtohej nga Dritan Mehmeti. Fitorja 2-1 ndaj Elbasanit ishte fitorja protokollare e përgatitjes së një faze të re, me stërvitës të përkohshëm Erjon Xhafën.
Përbërja e skuadrës ishte thuajse e njëjta: Teqja, Meksi, Hoxha, Lorrani, Gassami, Vila, Zabërgja, Bregu, Nani, Dita, Maliqi, Goudiabi, Itodo, Doci e Bregu ishin pjesë e ekipit edhe atëherë.
Toli ishte ai që gjeti minutat e para që në ndeshjet e para të Dajës, e po ashtu Qefalia iu bashkua stolit, bashkë me afrimet e Naser Alijit dhe Rufatit. Toli dhe Qejfalia dje, për ta rinisur aty ku e nisi Ilir Daja, përballë Partizanit, që më 12 shtator barazonin 2-2, krijuan sistemin "akrep".
Në përparambrojtjen qendrore të Dinamos, në qendër të mesfushës, presingu shumë i lartë, efikas dhe aftësia për të ndërtuar menjëherë pas shkatërrimit të aksioneve kundërshtare, e bëri Dinamon e Dajës dominuese të mesfushës. Partizani, sa herë përpiqej të shpinte përpara ndonjë aksion, pa sukses, përplot pafuqi, e provonte nga krahët sepse në qendër ndërtimi përballë Tolit e Qefalijës ishte mision i pamundur.
Në krahë shpejtësia kundërsulmese e Lorranit në njerin krah dhe e Meksit në krahun tjetër, të mirëmenduara sipas "shijes" së Ilir Dajës, që i do shpërthimet e zgjuara, ua bëri po ashtu të vështirë edhe lojën e krahëve të kuqve.
Pas mbërritjes së tij te Dinamoja, pas 2 humbjesh, Ilir Daja ka humbur vetëm 3 herë në kampionat: ndaj Partizanit 1-2 në 9 nëntor, ndaj Bylisit në 10 janar 2025 1-0 dhe ndaj Egnatias më 5 mars, 2-0.
Dinamoja renditet e dyta, vetëm 1 pikë pas Egnatias në kreun e klasifikimit, e sigurt si pjesëmarrëse në FinalFour dhe më 4 prill pret përballjen e parë me Vllazninë për gjysmëfinalen e Kupës së Republikës.
Aksionet me kontrollin e topit më të saktë në Ligë, ndërtimet me aksionet e plota nga thellësia, grinta sulmuese dhe vertikalizimet e zgjuara, presingu dhe rindërtimi në qendër, mbështetja e sulmit dhe kundërsulmit nga krahët e mbrojtjes, ndërrimi rigjenerues i sulmuesve dhe mesfushorëve sulmues që sjellin fantazi dhe cilësi të lartë të kontrollit të topit në aksionet sulmuese, e bëjnë Dinamon e Dajës një skuadër mirëfilli evropiane: që qarkullon me zgjuarsi dhe u merr më të mirën lojtarëve.
Aliji jo pa shkak u thirr në kombëtare, Bregu ka shënuar 11 gola dhe 4 asiste, Itodoja ka shënuar 16 gola dhe 4 asiste, Zabërgja ka shënuar 12 gola dhe 9 asiste, Tiago Nani 6 gola dhe 2 asiste, Lorenc Vila 3 gola dhe 4 asiste, pak më pak se të tjerët e repartit, por përherë pjesëmarrës i rregullt në ndërtimin e zbritjeve sulmuese dhe një ndër dribluesit më të mirë të kampionatit.
Dinamoja e Dajës përveçse një kënaqësi për t'u parë, që fatkeqësisht nuk e ka numrin e ndjekësve në raport të drejtë me cilësinë në fushën e blertë, të ushqen pritshmëri për kampionatin, Kupën dhe Evropën e vitit të ardhshëm./ZËRI