
MEKSIKË- Ish-futbollisti bolivian, Sergio Alberto Jauregui ka humbur jetën në fushë, pasi u qëllua duke luajtur në një ndeshje miqësore në Morelos të Meksikës. Ngjarja ndodhi në stadiumin Santa Ynez në qytetin e Cuautla, ku futbollisti u qëllua me gjashtë plumba teksa luante.
Pak minuta pas sulmit, shërbimet e urgjencës dhe ambulancat mbërritën për t'u marrë me aktin e dhunshëm në Morelos, pasi autoritetet filluan menjëherë hetimet për të gjetur autorin.
Për fat të keq ish-futbollisti nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Kush ishte Sergio Jauregui?
Sergio Jáuregui Landivar ka lindur më 13 mars 1985 , në Santa Cruz de la Sierra, në Bolivi dhe ka luajtur si mbrojtës. Sipas mediave vendase në Meksikë, ai ishte pjesë e ekipit Arroceros de Cuautla, në të cilin u kthye në një nga figurat dhe idhujt kryesorë në Morelos, duke u pozicionuar si kapiten i skuadrës. Në vitin 2015 ai doli në pension si lojtar profesionist për të filluar të lozte për skuadra të ndryshme “gjysmë-profesionale”.
/ZËRI