
TIRANË- Mirlind Daku, futbollisti i Kombëtares Shqiptare të Futbollit është i vetmi deri më tani që është ndëshkuar gjatë Kampionatit Europian të Futbollit që po luhet në Gjermani, "Euro 2024". Ai u pezullua me 2 ndeshje për shkak të thirrjeve që bëri kundër serbëve dhe maqedonasve, ndëshkim që i kushtoi aktivizimin në ndeshjen me Spanjën.
Babai i tij, Fehmi Daku ka folur sërish për mediat ruse duke u shprehur se të birit i vjen keq për atë që ka ndodhur.
"Djali im tashmë është kthyer në shtëpi. Mirlindi është i shëndetshëm, por nuk ndihet mirë për të gjithë situatën. I thashë që të mos e bënte më këtë. Do të pushojë disa ditë dhe më pas do të shkojë në Rusi. Kam dëgjuar se Rubin do ta ndëshkojë Mirlindin për veprimet e tij në Europian. Ai vendim i klubit duhet respektuar. Ai nuk do të ketë probleme me bashkëlojtarët serbë. Gjithçka do jetë e qetë,"-tha i ati i mesfushorit shqiptar.
Në Rusi, Daku ndan fushën e blertë me shumë futbollistë serbë siç janë; Lazar Rangjeloviç, Nikola Çumiç, Urosh Drezgiç dhe Bogdan Joçiç./ZËRI