
BRAZIL- Organi qeverisës i futbollit botëror FIFA ka hedhur poshtë sanksionet kundër Brazilit pas kthimit në post të presidentit të Federatës së vendit, Ednaldo Rodrigues, sipas drejtorit të çështjeve ligjore të FIFA-s, Emilio Garcia.
Rodrigues u hoq nga posti i tij nga Gjykata e Drejtësisë në Rio de Zhaneiro muajin e kaluar, pas një mosmarrëveshjeje mbi procesin zgjedhor në Federatën e Futbollit të Brazilit. Një president i përkohshëm u emërua, për të organizuar zgjedhjet e reja.
Por ministri i Gjykatës së Lartë Federale, Gilmar Mendes javën e kaluar urdhëroi kthimin e Rodrigues në detyrë, duke pretenduar se shkarkimi i tij mund të shkaktojë pezullimin e Brazilit nga garat ndërkombëtare të futbollit nga FIFA dhe të dëmtojë futbollin brazilian.
Garcia foli me gazetarët me Rodriguesin të hënën (8 janar). “Ne jemi të lehtësuar nga vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili rikthen presidencën e Ednaldos, i cili u zgjodh nga futbolli brazilian”.
Rodrigues tha se fokusi tani është përsëri te futbolli: "Është momenti që rikthen normalitetin në futbollin brazilian dhe ne kemi shumë angazhime në kalendarin tonë, që nuk mund të shtyhen dhe janë urgjente. Që tani e tutje, ne duam të përqendrohemi në zhvillimin e futbollit brazilian dhe turneve", tha ai.
Brazili aktualisht është i gjashti në renditjen e kualifikueseve të Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026, pasi pësoi tre humbje radhazi ndaj Uruguait, Kolumbisë dhe Argjentinës./ZËRI/