
ITALI- Reperi italian Fedez është ndjerë keq teksa ishte në aeroplan duke shkuar për në Pulia për një shfaqje live dhe u dërgua në spital sapo u ul. Lajmin e ka bërë të ditur stafi i tij përmes llogarisë së këngëtarit në Instagram, duke shpjeguar kështu mungesën e tij në mbrëmjen e planifikuar në klubin e natës Praja në Gallipoli.
“Fatkeqësisht, gjatë fluturimit për në Gallipoli, Federico nuk ishte mirë, ai u ndihmua nga një ambulancë në aeroport dhe për momentin është ende në pritje të rezultateve. Për këtë arsye ai nuk do të mund të jetë i pranishëm në mbrëmjen e planifikuar në Praja di Gallipoli këtë mbrëmje. Ju kërkojmë ndjesë të gjithëve për shqetësimin. Stafi”, shkruhet në postimin e bërë nga stafi i tij.
Më herët Fedez kishte postuar disa foto nga Sardenja, ku ndodhet me pushime, teksa po notonte në det. Problemet e reja shëndetësore vijnë më pak se një muaj pas shtrimit të tij në spital më 11 korrik në Poliklinikën e Milanos për shkak të gjakderdhjes së brendshme, gjatë së cilës reperi iu nënshtrua një gastroskopie kontrolli./ZËRI