
GJERMANI- Euro 2024 ka nisur pak ditë më parë dhe 24 ekipe skuadra futbolli nga Evropa po garojnë në fushat e Gjermanisë për kualifikimin në fazën tjetër. Por një skuadër ka edhe një mision tjetër veç kualifikimit. Bëhet fjalë për Danimarkën. Skuadra e djemve po lufton që edhe skuadra e vajzave të kenë të njëjtat paga si ata, duke treguar solidaritet me koleget e tyre.
Në kuadër të këtij "misioni", skuadra daneze e futbollit për meshkuj refuzoi rritjen e pagave të propozuar nga Federata Daneze e Futbollit, me arsyetimin se e njëjta gjë duhet që të ndodhë edhe për futbollistet femra, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Federata propozoi që të zvogëlohej buxheti për ekipin e meshkujve dhe të ndaheshin para për ekipin e femrave, por anëtarët e të dy ekipeve i thanë jo këtij propozimi, duke kërkuar një buxhet të veçantë për ekipin e femrave.
Kontrata e re mes sindikatës së lojtarëve dhe Federatës do të jetë 4-vjeçare dhe do të hyjë në fuqi pas përfundimit të Euros. Ndaj edhe ekipi i meshkujve qëndron i palëkundur në vendimin se kushtet duhet të përmirësohen për të dyja palët. Anëtarët e skuadrës së meshkujve kërkuan gjithashtu, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, që të blihet një godinë që mund të përdoret nga të gjitha ekipet kombëtare, e cila do të përmirësojë kushtet e stërvitjes dhe përgatitjes për ngjarje të mëdha./ZËRI