ITALI- Cesk Fabregasi ka qenë figura qendrore e suksesit të Komos këtë sezon në Serinë A. Pavarësisht një serie prej nëntë ndeshjesh pa fitore dhe një pozicioni kritik në renditje, besimi i klubit, skuadrës dhe tifozëve ndaj tij nuk u lëkund dhe u shpërblye.
Trajneri spanjoll ka ndërtuar një grup të bashkuar dhe ka mbajtur të fortë filozofinë e tij: të besosh në idenë tënde dhe të mos shpërqendrohesh nga humbjet. Në pjesën e dytë të sezonit, Komo arriti një rikuperim të jashtëzakonshëm, duke grumbulluar 27 pikë në 16 ndeshje dhe duke u afruar me zonën evropiane.
Stili i lojës së Fabregasit kombinon intensitetin e Kontes me parimet teknike të Guardiolës, si pasimet e shkurtra dhe kontrollin e topit.
Pavarësisht se është një trajner i ri, ai ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha si Roma, Milani, Leverkuseni dhe sidomos Lajpcigu, i mbështetur nga Jurgen Klopi. Megjithatë, pronarët indonezianë të Komos janë të vendosur ta mbajnë atë në krye të skuadrës, duke planifikuar investime dhe projekte ambicioze për të ardhmen.
E kërkon gjysma e Evropës, mirëpo zërat thonë se mund t'i "shtrohet" në pjatë mundësia e pushtimit të Evropës me Komon./ZËRI