
TIRANË- Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Sylvinho ka prezantuar këtë të hënë në një konferencë për mediat, emrat e 27 lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet në Euro 2024, që zhvillohen nga 14 qershori deri më 14 korrik të 2024-tes. Në listën me 27 emra shihet se mungon Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, ndërsa është rikthyer Armando Broja. Po ashtu kemi rikthime, si Mirlind Daku dhe Amir Abrashi. Shkak për largimin e Uzunit është bërë një dëmtim që ai ka pësuar.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Sylvinho tha se është krenar që është në krye të Kombëtares shqiptare në Euro 2024, ndërsa shtoi se nuk mund ti merrte dot të gjithë lojtarët në Gjermani. Ai tha se është munduar të bëjë më të mirën në përzgjedhjen e listës.
Sylvinho: Duhet të them që është një krenari që jam trajneri i kombëtares shqiptare që do të shkojë në Euro 2024. Sa më përket mua dhe stafit, do të dëshiroja të falënderoja të gjithë ata që deri këtu kanë bërë një rrugëtim me të gjithë ne. Respekti im për të gjithë ata. Zgjedhja jonë është bazuar në shumë studim, analizë, karakteristikë, individuale dhe kolektive të çdo lojtari dhe çdo skenari që do të ndeshim në kompeticion. Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët dhe për fat të keq nuk mund të marr të gjithë. Jam munduar të bëj më të mirën, i kam kushtuar të gjithë sforcot për më të mirën e skuadrës. Luajmë për 3 milion shqiptarë që luajnë këtu dhe më shumë se 10 milionë në të gjithë botën. Sigurisht puna me një kombëtare është ndryshe nga klubet, patëm 2 miqësore në mars që u dhamë mundësinë disa lojtarëve që nuk iu dhamë më përpara ti provonim. Në miqësore bëmë disa testime dhe provuam disa lojtarë që donim të provonim. Dera është e hapur në çdo moment, mund të jesh në formë dhe merr ftesën. Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente. E theksoi edhen njëherë që finalet e Europianit janë komplet diçka tjetër ndryshe nga kualifikueset që ke 10 muaj kohë që të luash, por çdo lojtar është në 100%. Zgjedhja ime është e vështirë por dua t’i falënderoi të gjithë lojtarëve, nuk mundem që të ftoj më shumë lojtarë. Jam i bindur që grupi i lojtarëve është i qetë, kam qenë vetë futbollist dhe e di se çfarë do të thotë të rrish në stol ose në tribunë, nuk të vjen mirë por duhet të pajtohen me vendimet e trajnerit.
LISTA:
Portierë: Etrit Berisha, Thamas Strakosha, Elhan Kastrati dhe Simon Simoni.
Mbrojtësit e grumbulluar: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Enea Mihaj, Mario Mitaj dhe Marash Kumbulla
Mesfushorët e grumbulluar: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi dhe Ylber Ramadani,
Sulmues: Armando Broja, Jasir Asllani, Mirlind Daku, Arbër Hoxhaj, Rey Manaj dhe Taulant Seferi./ZËRI