
TIRANË- Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Sylvinho ka folur këtë të enjte në lidhje me Euro 2024 dhe grumbullimin e lojtarëve. Sylvinho gjatë konferencës për mediat tha se do të donte të kishte marrë më shumë lojtarë me vete, por këto janë rregullat e lojës. Ndërsa shtoi se lista është definitive. Sylvinho preferoi të mos flasë për lojtarët që janë jashtë liste.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Sa e vështirë ka qenë të bësh listën?
Sylvinho: Ka qenë shumë të vështirë për ne të zgjidhnim 27 lojtarë. Është e pamundur t’i marrim të gjithë me vete. Nuk besoj që një grup kaq i madh lojtarësh mund të stërvitet mirë. Ka qenë një sforco e madhe, zgjedhjet janë bazuar në studimet, karakteristikat e çdo lojtari dhe të grupit. Finalet e Europianit janë një specifikë krejt tjetër, ku në 10 muaj, Shqipëria luan 8 ndeshje, ndërsa në këtë turne shkojmë për 3 ndeshje për 15 ditë.
Pyetje: Ndeshjet e Marsit a ishin njëlloj kurthi, ndërkohë që shohim një tkurrje në listën që keni publikuar. A keni një shqetësim të vogël për ndonjë ndikim të këtyre zgjedhjeve të forta, lënia jashtë e Uzunit, e Cikalleshit, a ju frikëson pak ndonjë prishje humori?
Sylvinho: Kemi bërë zgjedhje për të përballur me sukses një grup të vështirë. Ne patëm 2 miqësore, iu dha mundësia disa lojtarëve. Dera e Kombëtares është gjithmonë e hapur. Në miqësore bëmë disa testime, por sigurisht nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente. Finalet e Europianit janë një specifikë krejt tjetër. Jam i bindur se grupi është 100 % i qetë dhe është i gatshëm për të shkuar përpara në këtë rrugëtim. E kam të pamundur të marr më shumë se 30 lojtarë apo më shumë. Grupi i lojtarëve është në formë të mirë, goxha i qetë.
Pyetje: Shohim që në listë kemi një debutues Medon Berisha, kandidat. Shohim Amir Abrashin që kthehet. Jashtë liste, Uzuni dhe Bare?
Sylvinho: Sa i përket Berishës dhe Abrashit, preferoj të flas për lojtarët që kam ftuar dhe të mos flasë shumë për ata që nuk janë këtu. Spanja bëri zgjedhjet e veta. Nuk është e lehtë për asnjë nga ne. Abrashi, një lojtar me shumë eksperiencë, është mesfushori i vetëm që ka luajtur në finale, përfaqëson më së miri shpirtin e skuadrës së Kombëtares. Medon Berisha, lojtar i ri, shumë i talentuar dhe me këtë rast, vlerësojmë dhe punën që është bërë nga Kombëtarja U21.
Pyetje: Alent Sheri duhej të ishte i ftuar. A është kjo listë definitive?
Sylvinho: Kemi besim tek ky grup prej 27 lojtarësh, do të doja të kisha 35 lojtarë, ka lojtarë shumë të mirë që e meritojnë, por UEFA ka rregulla që mund të marrësh deri në 26 lojtarë. Kjo është jeta. Kemi studiuar dhe rivalët dhe zgjedhjet janë bërë në bazë të kësaj analize. Mund të ketë 7-10 lojtarë që meritojnë, por kemi vendosur të shkojmë me 27 lojtarë. Jemi i keqardhur që mungojnë disa emra, por kjo është detyra e një trajneri./ZËRI