Qytetërim

Eto’o në telashe, për çfarë e akuzon Organizata e Klubeve Kamerunase

Në vendin e tij, Eto'o akuzohet për korrupsion, favorizime të paligjshme dhe trukime ndeshjesh

D.XH
Eto’o në telashe, për çfarë e akuzon Organizata e
Eto'o

KAMERUN – Samuel Eto’o është në telashe. Pasi ish-drejtuesi i Federatës së Kamerunit, Henry Njalla Quan e kishte akuzuar se Eto’o e kishte përzënë Andre Onanan nga grumbullimi i Kombëtares në Botërorin e Katarit, orët e fundit ka pasur një sulm të strukturuar në drejtim të Presidentit aktual të Federatës Kamerunase.

Organizata që bashkon klubet kamerunase të futbollit, “Liga profesioniste e futbollit të Kamerunit” i është drejtuar me një letër Presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, si dhe Presidentit të Konfederatës Afrikane të Futbollit, Patrice Motsepe, ku kërkojnë që ndaj ish-futbollistit të njohur të nisë procedim penal.

Eto’o akuzohet për korrupsion dhe skandale të tjera. Letra titullohet “Një etikë për Afrikën dhe tjetër për Europën?”. “Nëse FIFA tregoi shpejtësi dhe vendosmëri kundër Rubiales, është befasuese që rri në heshtje për raste të ngjashme ose edhe më të rënda që janë verifikuar në Federata të tjera. E mbi të gjitha në Federatën Kamerunase të Futbollit”.

Akuzat ndaj ish-lojtarit të Interit

Në tekstin e letrës së drejtuar nga Liga Kamerunase për Infantinon janë listuar edhe raste specifike, mbi të gjithë fakti që Eto’o në qershor të 2022 pranoi se kishte mashtruar organet fiskale spanjolle për 3.8 milionë euro gjatë viteve të qëndrimit te Barcelona. Aty përmendet se Eto’o ishte dënuar 22 muaj burg, por që u shndërruan në shërbim prove.

Liga e Kamerunit kujton episodin kur Eto’o sulmoi një YouTuber algjerian pas ndeshjes Brazil-Kore e Jugut gjatë Botërorit 2022 në Katar. Po ashtu është denoncuar Eto’o për firmën e një kontrate sponsorizimi personale me një kompani bastesh sportive. Me pak fjalë, nuk kanë lënë gjë pa thënë për një nga futbollistët më të mirë që ka pasur vendi afrikan.

Mediet vendase raportojnë se Presidenti i Republikës së Kamerunit Paul Biya i ka kërkuar policisë gjyqësore të hapë një hetim për ndeshjet e trukuara në kampionatin e fundit në kategorinë kryesore Elite One. Qershorin e kaluar janë publikuar përgjime në të cilat Eto’o diskuton se si të favorizojë ngjitjen me një kategori të Victoria Limbe, klub, presidenti i të cilit është një mik i tij. Eto’o akuzohet për favorizime të miqve të tij në Federatë./Zëri.ai/

 

Poll

MOS HUMB