
SPANJË- Të tjera probleme për Barcelonën. Klubi blaugrana akuzohet për korrupsion nga një gjykatë katalanase.
Çështja ka të bëjë me pagesat në adresë të ish zv/presidentit të arbitrave të La Liga-s. Jose Maria Enriquez Negreira, ish-zëvendëspresident i gjyqtarëve, ka pasur kompanitë Nidsal dhe Dasnil, të cilat në vitet 2001 dhe në 2018, kanë përfituar 7.3 mln euro nga klubi i La Liga-s.
Nën hetim janë edhe ish-presidentët Josep María Bartomeu dhe Sandro Rosell.
Ndërkohë, Garda Civile zbatoi urdhrtin për të kryer kontrolle në selinë e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Las Rozas, për të kërkuar dokumentacionin në lidhje me 'çështjen Negreira'.
Klubi blaugrana ka mohuar çdo shkelje, duke sqaruar se kishte paguar një konsulent të jashtëm i cili e kishte furnizuar atë me "raportet teknike në lidhje me arbitrimin profesionist", për të cilin theksoi se ishte një praktikë e zakonshme midis klubeve profesionale të futbollit.
Sipas gjyqtarit Aguirre, Negreira ishte përgjegjës për hierarkinë dhe vlerësimin e gjyqtarëve. Asnjë provë nuk është gjetur deri më tani se Negreira ka paguar gjyqtarët për të ndikuar në rezultatet e ndeshjeve./Zëri.ai