
TIRANË- Erkand Qerimaj, peshëngritësi kuqezi vijon me akuzat për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) dhe kreun e saj, Elez Gjoza. Kampioni i shtangës ka bërë sërish një reagim duke thënë se FSHP nuk e ka regjistruar në Kupën e Botës që do zhvillohet në Tajlandë, turne që vlen për pikët e nevojshme për në Lojërat Olimpike të Parisit.
"Skandali i Federatës VIJON duke mos më regjistruar në Kupën e Botës në Tailand për kualfikimin në Lojërat Olimpike të Parisit. Në peshën që kisha kërkuar që në Janar disa herë me sms. Edhe në këtë moment nuk figuroj i regjistruar. Me siguri nuk ka dashur që unë të shkoj. Debati nisi për këtë. Si duket unë që çoj flamurin kuqezi dhe sjell medalje duhet të rri në shtëpi! Sepse Presidenti duhet të marrë familjarët për turizëm në vende të bukura si Tailanda, Katar, Kuba, Arabia, për turizëm me lekët e Federatës e Shtetit, taksapaguesve. Përsa i përket deklaratës që ka bërë i ka të gjitha gënjeshtra se kur gënjen shumë fillon i beson edhe vetë. Kush e njeh e di, s'ka person që ka takuar e të mos ta ketë gënjyer nja 5 herë minimumi...", shkruan Qerimaj.

Kujtojmë se një ditë më parë peshëngritësi hodhi akuza ndaj kreut të FSHP-së, Elez Gjozaj se po mban të fshehur raste me doping, ndërsa e akuzoi gjithashtu se po shpërdoron fondet e federatës për interesa personal. Qerimaj u shpreh se ka prova që e vërtetojnë këtë dhe se duhen zgjedhje të reja në FSHP pasi Gjoza shpërdoron lekët e taksapaguesve. Kujtojmë se për akuzat e para, Federata e Peshëngritjes i ka mohuar dhe ka thënë se do i drejtohet gjykatës për shpifje. /ZËRI