
SINGAPOR- Vetëm zbuluesit e talenteve, vëzhguesit dhe të apasionuarit e futbollit e mbajnë mend një sulmues biond, japonez, me numrin nëntëdhjetë, që një ndeshje të barabartë 0-0 mes Kastriotit dhe Bylisit në Ballsh, turko-kosovari Sensoy, asokohe trajner i Ballshit e aktivizoi në minutën e gjashtëdhjetë më 29 janar 2023.
Dhjetë minuta debutim i mjaftuan japonezit dhe shënoi golin e fitores për ballshiotët. Një kthesë e fortë në hyrje të zonës solli golin e tij të parë dhe të vetëm në futbollin shqiptar. Sensoy e aktivizoi në dy humbje të ngushta me Teutën dhe Partizanin, 1-0, të cilat ishin javët pasuese, duke i dhënë 45 dhe 63 minuta aktivizim, mandej në 4 ndeshje të tjera e la në stol dhe në 4 të tjera i dha vetëm 38 minuta në total.
Tomojuko Doi u shëndrrua një fantazmë për futbollin shqiptar. Tani luan në Singapor, në Premier Ligën e Singaporit. Në dallim nga Ballshi, që e aktivizonte si anësor, atje aktivizohet si qendërsulmues.
25 ndeshje ka luajtur me Gejlangun e Singaporit, atje ka shënuar 39 gola dhe 9 asiste në Premier Ligën e atjeshme.
Tomajuko Doi, ish-numri 90 i Ballshit, udhëheq listën e golashënuesve botëror. Ai renditet i pari në Botë me 39 gola në 25 ndeshje në ligat e para profesioniste. Me 39 gola dhe 9 asiste, 48 gola dhe asiste, ai renditet i pari në Botë, mbi Salahun, 44, edhe në numër golash dhe asistesh.
Dikush mund të ironizojë me forcën e kësaj lige në futbollin aziatik. Le të mos nxitohet. Premier Liga e Singaporit renditet e pesëmbëdhjeta nga dyzet e katër liga profesioniste në Azi, në të njëjtën fushë me futbollin australian./ZËRI