
TIRANË- Këngëtarja shqiptare Elsa Lila do të publikojë një libër! Të gjitha kujtimet e saj, më së shumti nga periudha që ishte brenda qelisë do të përmblidhen në një botim të vetëm që shumë shpejt do të jetë në duart e publikut.
“Diçka e bukur po vjen…fjalë zemre, si fjalë kënge. Tashmë në një libër të bukur e të vërtetë!”
Lajmin e ka bërë me dije vetë këngëtarja, pasi e paralajmëroi se diçka e tillë po vinte që kur ishte pjesë e spektaklit "Ferma VIP", por edhe në intervistat që ka dhënë më parë.
"Nuk dua të flas për dy javët e izolimit, sepse ka qenë një eksperiencë gati kafshërore, jo njerëzore. Po mundohem të përmbledh gjithë këto kujtime dhe histori në një libër. Po shkruaj një libër dhe do t`i tregoj më në mënyrë të detajuar në këtë libër kur të jetë…,"-tregoi ajo në intervistën "ZË me Mirën".
Megjithatë, përveçse çfarë ka thënë më parë, aktualisht ajo nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me librin që do të publikojë.
Elsa Lila u arrestua në vitin 2022 pasi u dyshua se ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me shitjen e drogës në Romë. Sipas raportimeve që bënin asokohe mediat italiane, grupi përbëhej nga 13 persona, italianë dhe shqiptarë ndërsa Lila supozohet se kishte rolin e "financieres së grupit". Në shtëpinë e saj u gjet një bllok i zi, brenda të cilit thuhej se ishin shënuar të gjitha të dhënat e kokainës./ZËRI