
PARIS- Pa dyshim që Imane Khelif u kthye në boksieren më të përfolur gjatë kësaj Lojrave Olimpike të Parisit. Pas ndeshjes së saj me boksieren italiane, Angela Carini, e cila u dorëzua 46 sekonda pasi filloi sfida, e gjithë bota u kthye kundër algjerianes, e cila u sulmua si askush tjetër. Khelif akuzohej se ishte mashkull dhe për këtë arsye nuk mund të konkurronte në sportin e femrave.

Por, Khelif i tregoi të gjithëve se e kanë gabim!
Ajo fitoi medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike pasi mposhti kundërshtaren e saj nga Kina, Yang Liu. Pas fitores, algjeriania foli për herë të parë për diskriminim dhe abuzimin online që përjetoi gjatë javës së kaluar.
“Unë jam një grua si çdo grua tjetër. Unë kam lindur një grua, kam jetuar si një grua, kam konkurruar si një grua, s'ka dyshim për këtë. Sigurisht, ka edhe armiq të suksesit. Suksesi im ka një shije të veçantë për shkak të këtyre sulmeve. Dua t'i them botës se ata duhet të angazhohen ndaj parimeve olimpike dhe se nuk duhet t'i keqtrajtojnë njerëzit. Ky është mesazhi i Lojërave Olimpike. Shpresoj që njerëzit të ndalojnë diskriminim. Jemi në Lojërat për të performuar si atletë. Shpresoj që të mos shohim sulme të ngjashme në të ardhmen,”- tha ajo.
E gjithë polemika nisi, pas ndeshjes me Carinin. Sipas informacioneve të mëparshme, Khelif u ndalua të garojë në Indi në vitin 2023, pasi sipas analizave ajo ka hormone më të larta mashkullore, të cilat në nivele të caktuara janë të paligjshme në kategorinë e femrave. Sipas të dhënave, ajo dhe një boksiere nga Tajlanda kishin të njëjtin nivel testeroni si meshkujt. Ndaj edhe nisën ta cilësonin si "burrë" apo "trans". Kundër saj dolën edhe figura publike si: Donald Trump, Giorgia Meloni, Elon Musk, Piers Morgan, J.K. Rowling dhe shumë të tjerë.
Përgjigjen e morën nga Khelif, tani me një medalje ari në qafë./ZËRI